Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.
Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar.
“Përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për DokuFest është ulur për gati 30% në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9% të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash 24 vite ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, thuhet në komunikatë.
DokuFest ka shprehur qëndrimin se një veprim i tillë shkon përtej çështjeve buxhetore.
“Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerek shekulli”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është përkujtuar se në gusht të cdo viti, DokuFest ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve.
“Ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale: Më shumë se 16,700 vizitorë morën pjesë në DokuFest 2024, prej tyre rreth 5,000 ndërkombëtarë. Sipas ATK-së dhe Institutit GAP, vizitorët shpenzuan afro 4.1 milionë euro gjatë festivalit. Qarkullimi i bizneseve të Prizrenit u rrit me 29% në muajin gusht krahasuar me korrikun. Për çdo 1 euro të investuar nga fondet publike, DokuFest ka kthyer 22.8 euro në ekonomi. Festivali gjeneron mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe përfshin 120 vullnetarë që mësojnë aftësi të reja, të pazëvendësueshme dhe esenciale për Ekonominë Kreative në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Krahas kësaj është potencuar se për 24 vite me radhë, DokuFest e ka pozicionuar Prizrenin në hartën botërore të kulturës, duke sjellë në qytet artistë, turistë dhe profesionistë nga mbi 60 vende të botës, me ndikim direkt në zhvillimin e turizmit, kinemasë dhe diplomacisë kulturore.
“Megjithatë, vendimi i Komunës për të mos e trajtuar DokuFest-in si partner strategjik kulturor është i pakuptimtë dhe kërcënon të dëmtojë një ekosistem të ndërtuar me mund e përkushtim ndër vite”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.
DokuFest i ka bërë thirrje Komunës së Prizrenit që të rishqyrtojë me urgjencë këtë vendim dhe ta riafirmojë përkushtimin ndaj kulturës dhe qytetarëve të saj.
“DokuFest nuk është vetëm një ngjarje, por është një investim në të ardhmen kulturore dhe ekonomike të qytetit. Festivali do të vazhdojë misionin e vet, por u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë: artistëve, qytetarëve, institucioneve, donatorëve dhe dashamirësve të kulturës të qëndrojnë me ne. Kultura nuk është luks. Është identitet. Është zëri i qytetit!”, thuhet në fund të komunikatës. /Telegrafi/