Dogana e Kosovës e ka konfirmuar se po vazhdon të zbatohet ndalesa që Qeveria e Kosovës kishte vendosur për mallrat nga Serbia, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Gazetës Express se s’ka hyrje të mallrave serbe në Kosovë.
“Nuk kemi hyrje të mallrave serbe në Kosovë”, ka thënë Stavileci për Express.
Pas vendosjes së kësaj ndalese, pritej lëvizje e çmimeve, meqë shumë produkte importohen nga ky shtet.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se kjo gjë s’ka ndodhur. Në një përgjigje për Gazetën Express, MINT ka thënë se inspektorët s’ vërejtur ndonjë lëvizje të çmimeve e cila në çfarëdo forme do të ndërlidhej me kontrollet e mallrave serbe në pikat kufitare.
“Inspektorët tanë gjatë inspektimeve të rregullta në terren nuk kanë vërejtur ndonjë lëvizje të çmimeve e cila në çfarëdo forme do të ndërlidhej me kontrollet e mallrave serbe në pikat kufitare. Prandaj, për aq sa na e vërtetojnë të dhënat nga terreni, ne nuk shohim ndonjë rritje të çmimeve si pasojë e kontrolleve të shtuara në pikat kufitare”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Vendosjen e kësaj mase nga Qeveria e Kosovës e kishte kundërshtuar Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në një konferencë me gazetarë përmes telefonit para disa javësh, Escobar tha se Kosova duhet ta heq masën e ndalimit për mallrat serbe.
Ai citoi qëndrimin e BE-së, ku tha se është jo-evropiane që të ndalohet lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve dhe për më tepër s’ka as bazë ligjore.
Emisari amerikan kishte thënë se përkrahin pozicionin e BE-së dhe konsiderojnë se një veprim i tillë i Kosovës është një eskalim i panevojshëm i një situatë tashmë të tensionuar.
“Ne besojmë se duhet ta heqin ndalesën për mallrat serbe. BE beson që është jo-evropiane për të ndaluar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, por edhe s’ka bazë ligjore. Ne si SHBA mbështesim një pozicion të tillë dhe konsiderojmë si një eskalim të panevojshëm të një situatë që është e tensionuar”, deklaroi Escobar.
Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare, duke thënë se janë vendosur për çështje të sigurisë.
“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, ka deklaruar Kurti./Gazeta Express