Ambasada e SHBA-së në Sarajevë a reaguar duke thënë se festimi i 9 janarit si “Dita e Republikës Srpska” është veprim antikushtetues. Nga ambasada amerikane thonë se nuk është problem tek festimi, por tek caktimi i datës 9 janar, shkruan Gazeta Express.
Ambasada e SHBA thotë se lidhja e përkujtimit me një festë ortodokse shkel Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.
“Gjykata Kushtetuese e BeH e ka bërë të qartë në vendime të shumta se festimi i Ditës së Republikës Srpska më 9 janar është jokushtetues. Çështja nuk është festimi i festës, por vendimi për ta bërë këtë më 9 janar. Lidhja e përkujtimit me një festë fetare ortodokse shkel disa dispozita të Kushtetutës së BeH që ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje ligji, jo opinion”, thuhet në reagim.
“Neni III (3) i Kushtetutës së Dejtonit kërkon që entitetet të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të BeH, duke përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të BiH. Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH përbën një vepër penale sipas Kodit Penal të BeH. Edhe kjo është çështje ligjore, jo opinion”, rikujton Ambasada, raporton Express.
Tutje në reagim SHBA kanë thënë se presin që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ndodh në lidhje me festimin e “Ditës së Republikës Srpska” më 9 janar.
Gjithashtu kanë potencuar se në të kaluarën kanë vepruar ndaj veprimeve anti-Dayton dhe se nuk do të hezitojnë të veprojnë edhe në të ardhmen.
“Pritjet e Shteteve të Bashkuara janë që autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ndodh në lidhje me festimin e Ditës së Republikës Srpska më 9 janar.Shtetet e Bashkuara kanë vepruar për të adresuar veprimet anti-Dayton si ky në të kaluarën dhe nuk do të hezitojnë ta bëjnë këtë përsëri në të ardhmen”, përfundon reagimi.