Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) tha se e ka pritur me shqetësim të madh, paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të rrymës për 15%.
Nga Qeveria e Kosovës, DHTIK ka kërkuar që të ndërhyjë dhe të mos e lejojë këtë rritje, duke thënë se do të ndikojë në ulje të prodhimit dhe të numrit të punëtorëve.
“Rritja e serishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRRE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme tek bizneset. Një ngritje e tillë e çmimit e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve”.
DHTIK thotë se ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje tek prodhuesit vendës”.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.