Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Remzi Ademaj” në Prizren, raporton Sinjali.
Shoferi i një veture që u ndalua për t’u gjobitur, ka penguar dhe kërcënuar zyrtarër policorë se “do ta paguani me jetë”.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Arber Morina, 28-vjeçar, i cili përfundoi në ndalim policor pasi u fut në sherr me Policinë.
Incidenti ka nisur pasi Policia ishte në një pikë kontrolli dhe urdhëroi të dyshuarin që të ndalej për shkak te shpejtësisë me të cilën lëviste.
Por siç duket kjo situatë e mllefosi të dyshuarin, i cili shpërfilli urdhrat e Policisë dhe u kap me ta, derisa u detyrua ta arrestojnë.
Ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që është ndaluar për kundërvajtje në trafik, nuk ka zbatuar urdhëratë policor e më pas i ka kanosur zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare, duke iu thënë: “do ta paguani me jetë”. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”/Gazeta Sinjali/