Në ditën e tretë pas hyrjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në objektin e komunës së Zveçanit, është ndërruar dera dhe kamera vëzhguese, raporton mediumi serb në Kosovë, Kossev.
Dy ditë pas hyrjes në objektet komunale në veri, raportohet se institucionet e sigurisë po qëndrojnë ende në to. Lloje të ndryshme të automjeteve të policisë janë parë në afërsi të objekteve të komunave – nga xhipat e blinduar, të rregullt, civilë, si dhe njësitë – nga policët me uniforma të thjeshta, në forcat speciale me helmeta, jelekë antiplumb.
Kossev raporton gjithashtu se dje janë parë njësitë e mjekësisë ligjore në komunën e Zveçanit, ndërsa sipas disa lexuesve kanë qëndruar edhe në objekte tjera komunale në veri.
Policia dje ka hequr flamurin e Serbisë në hyrje të objektit, duke e zëvendësuar me flamurin e Kosovës, si dhe kamerat e vëzhgimit dhe derën e hyrjes.
Policët kanë sjellë pako në ndërtesën e komunës mëngjesin e sotëm, raporton mediumi serb. Ata nuk kanë bërë deklarata për media, por janë dëgjuar duke thënë “bukë” në shqip.
Mëngjesi i së dielës ishte i qetë në Zveçan. Ka ditë që bie shi. Në qendër të Zveçanit, qytetarët po qarkullojnë normalisht.
Ndonëse ende nuk duan të flasin publikisht qytetarët Kossev thotë se dhe prania e njësive speciale po përballet me mosmiratim të përgjithshëm të popullatës.
Në prag të së hënës, ende nuk ka të dhëna se kur njësitet policore do të dalin nga ambientet e komunës, apo nëse dhe kush do të lejohet të hyjë nesër. Megjithatë, intistucionet e Kosovës bëjnë të ditur se kryetarët dhe ekipet e reja të komunave do të punojnë në këto objekte.