Pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pavarësisht 52 përpjekjeve. Afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese skadon sot, ndërsa pas kësaj dite do të zbatohet një masë e përkohshme deri më 8 gusht.
Në një konferencë për media të hënën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se në fund të javës do të dihej nëse ka marrëveshje me Nismën Socialdemokrate ose jo. Megjithatë, deri të premten nuk pati asnjë njoftim nga Kurti.
“Unë uroj dhe shpresoj, sepse po punoj, që kjo të bëhet këtë javë. Ju kisha kërkuar pak durim, sepse në fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur, ose lajmin për atë që do të ndodhë pas 30 ditësh [pas skadimit të afatit kushtetues më 26 korrik]”, deklaroi Kurti.
Nga ana tjetër, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha të premten se tema e kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë kurrë në diskutim për partinë e tij, por problemi kryesor është mungesa e votave për formimin e qeverisë.
“Për mua asnjëherë nuk ka qenë temë zgjidhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj pune i kësaj krize është mos pasja e numrave të mjaftueshme për qeverinë”, tha Limaj, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka sigurua votat për formimin e institucioneve.
Ky zhvillim vjen pas kërkesës së deputetëve Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami dhe 22 të tjerëve drejtuar Kushtetueses, duke ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të dispozitave që përcaktojnë afatet për seancën konstituive.
E premtja shënoi edhe dështimin e 52-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së re, pavarësisht pranisë së ambasadorëve të akredituar në seancë.