Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, po shkëlqen në Kampionatin Evropian të xhudos që po zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi. Me paraqitje të jashtëzakonshme dhe dominim të plotë në çdo meç, ajo tashmë ka siguruar një vend në finalen e madhe të kategorisë deri në 52 kilogramë, shkruan 04 Online.
Në gjysmëfinale, Krasniqi e tregoi edhe një herë klasën e saj duke mposhtur spanjollen Ariane Toro Soler me një Ippon spektakolar, që i siguroi të paktën medaljen e argjendtë evropiane.
Më herët gjatë ditës, ajo eliminoi në çerekfinale holandezen Naomi Van Krevel, ndërsa në të tetën e finales nuk pati shumë punë për ta kaluar serben Milica Nikolic. Rrethin e parë e kishte kaluar pa luftë, si një prej garueseve të favorizuara.
Në finalen që pritet me interes të madh, Distria do të përballet me italianen Odette Giuffrida, një përballje që premton xhudo cilësore dhe emocione të forta.
Kosova sërish në majat e sportit evropian – falë një kampioneje që nuk ndalet./04 Online