Mbi 430 kadetë sot i janë bashkuar Policisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe 53 gra.
Të pranishëm në ceremoninë e diplomimit ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani ka thënë se në mesin e të diplomuarve janë 17 serbë, pesë boshnjakë, dy goranë, një turk dhe një rom.
Ajo ka shtuar në mesin e këtyre kadetëve janë 53 vajza dhe gra, të guximshme, të disiplinuara e të përkushtuara për t’i shërbyer vendit.
“Ju mbani një përgjegjësi të dyfishtë. Së pari të dashura vajza, do t’i shërbeni vendit dhe qytetarëve për garantim të rendit e sigurisë, por do të jeni inspirim për shumë gra e vajza që do të ndjekin rrugën tuaj. Kjo pjesëmarrje e grave tregon edhe angazhimin serioz për rritjen e numrit të grave në këto pozita. Besoj fuqishëm se pjesëmarrja e grave në polici dhe në të gjitha strukturat e sigurisë është investim i nevojshëm për sigurinë në gjithë vendin tonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se sa më shumë vajza e gra të përfshira në siguri, aq më i sigurt do të jetë vendi.
Sipas saj, diversiteti gjinor e etnik në Policinë e Kosovës është pasqyrim i shtetit dhe reflektim i një mjedisi të sigurt që e meriton Kosova.
Osmani ka thënë se kadetët duhet të jenë krenar për uniformen e veshur.