Një shtëpi banimi është djegur sot në Prizren, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Reporteri.net se dy viktimave u është ofruar ndihmë mjekësore, pasi ishin asfiksuar nga tymi.
Gjendja e të lënduarve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Me datën 05.01.2026, rreth orës 17:35, Policia është njoftuar se në Rr. Enver Hadri, Prizren, kishte rënë zjarr në një shtëpi banimi. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka kontaktuar me ankuesin, i cili ka deklaruar se, në rrethana ende të panjohura, kishte shpërthyer zjarr në katin e parë të shtëpisë së banimit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Zjarrfikësve, të cilët kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin”, ka deklaruar Bytyqi.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
“Sipas deklarimit të viktimës së lartcekur, dëmi material i shkaktuar nga zjarri ende nuk është i vlerësuar. Në vendngjarje kanë dalë gjithashtu hetuesi kujdestar dhe njësiti i forenzikës. Lidhur me rastin është kontaktuar dhe njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit inicohet rasti. Rasti mbetet nën hetime”, ka deklaruar Bytyqi./Reporteri.net












































