Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë i zëshëm sa i përket raportimeve se ish-senatori zviceran, Dick Marty është kërcënuar me vdekje nga shërbimi sekret serb dhe plani ishte që faji t’u bartej shqiptarëve.
Dick Marty kishte hartuar një raport skandaloz ku pretendonte se në Kosovë ka pasur transplantim organesh nga figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktuza këto mbi të cilat u themelua edhe Gjykata Speciale në Hagë ku po hetohen dhe gjykohen ish-krerë të UÇK-së, shkruan lajmi.net.
Behrami në një postim të tijin në Facebook thotë se shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë pas këtij skandali me përmasa ndërkombëtare. As qeveria, as opozita e as shoqëria civile sipas tij s’patën asnjë reagim lidhur me këtë.
“Paramendo, çfarë do të bënte Serbia?! Këshilli i Sigurimit do të thërriste mbledhje urgjente deri më tani! Vuçiqi kish vajtu çdo tre minuta nëpër media të Serbisë dhe ato ndërkombëtare!”, shkruan Behrami.
Behrami ka reaguar sërish sot ku thotë se imazhi dhe e vërteta e Dick Martyt në Kosovë është po ajo e njëjta, pavarësisht deklarimit të tij se shërbimi inteligjent i Serbisë ka planifikuar vrasjen e tij.
Ai ka thënë se Marty duhet të dëshmojë në Gjykatën Speciale, në mënyrë që procesi gjyqësor të jetë fer dhe i paanshëm.
“Dick Marty po mundohet të fshihet për të mos dëshmuar në Gjykatën Speciale, meqë ai dhe të gjithë ne e dimë që raporti i tij ka qenë një fabrikim i dezinformatave ruso-serbe.”, thotë Behrami.
“Dick Marty në paragrafin 133 të raportit të tij thotë: “Ne arritëm të kemi qasje në dëshmi të vërtetuara, të dorës së parë, nga ish-luftëtarët dhe ata që ndihmuan UÇK-në të kryenin transporte të shumta brenda dhe ndërmjet objekteve të përmendura në raportin tonë, si dhe transportimin e robërve nga shumica e tyre.”, shkruan Behrami më tutje.
Ndërsa sot, BIA serbe iu ka reaguar zvicëranëve duke thënë se nuk ka pasur asnjë plan për vrasjen e Martyt, por në anën tjetër nga Kosova nuk ka pasur asnjë reagim.