Zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Karen Donfried, në një intervistë për gazetën “Politika” ka folur për procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për nevojën për progres.
Donfried ka theksuar se është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe për Serbinë që të bashkëpunojnë për të zgjidhur raportin mes vete.
Sipas saj, SHBA-të e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve, me fokus në njohjen reciproke.
Donfried ka përmendur edhe vizitën e saj në Kosovë në kuadër të turit disa ditor në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se gjatë takimeve që ka pasur ka vërejtur gatishmërinë për dialog.
“Besoj se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin marrëdhëniet. Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve me fokus në njohjen reciproke. Një mekanizëm për ta arritur këtë është një dialog i ndërmjetësuar nga BE. Unë kam folur për këtë në Kosovë dhe kam dëgjuar se ka gatishmëri për t’u angazhuar në atë dialog. Për këtë kam biseduar me Vuçiqin dhe kryeministren. Shpresojmë të bëjmë përparim”, ka thënë Donfried.
Zyrtarja e lartë amerikane gjithashtu ka treguar se në takimet që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, dhe me kryeministren serbe, Ana Brnabiq, ka shprehur pritjet për progres në procesin e dialogut, transmeton express.
“Është pikërisht progresi drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të normalizojnë raportet, me një fokus në njohje reciproke”, ka thënë Donfried.
Siç ka theksuar Donfried, presidenti i Serbisë dhe kryeministrja kanë thënë që janë të gatshëm t’i bashkohen një dialogu të tillë.
“Kam dëgjuar edhe nga presidenti edhe nga kryeministrja se janë të gatshëm të angazhohen në atë dialog”, ka thënë zyrtarja e lartë e DASH për “Politika”.