Një injeksion në javë, në vend të një në ditë, ky është përparimi më i fundit në trajtimin e diabetit të tipit 1 dhe 2. Italia është vendi i parë në Evropë që miraton dhe rimburson këtë terapi të re, pas dritës jeshile të dhënë nga AIFA, Agjencia Italiane e Barnave.
Bëhet fjalë për Icodec, insulina e parë me administrim javor e zhvilluar nga kompania Novo Nordisk, që u lejon pacientëve të kalojnë nga 365 injeksione në vit në vetëm 52, një për çdo javë. Ky zhvillim përfaqëson një revolucion të vërtetë në menaxhimin e diabetit, 100 vjet pas zbulimit të insulinës.
Si funksionon Icodec?
Icodec është një molekulë insuline e modifikuar, e cila qëndron aktive në organizëm deri në tetë ditë, falë një lidhjeje të veçantë me albuminën, një proteinë në gjak. Ky mekanizëm lejon një lëshim të ngadaltë dhe të qëndrueshëm të insulinës, duke shmangur luhatjet e mëdha të sheqerit në gjak.
Studimet klinike ONWARDS kanë treguar se Icodec është po aq efektive sa insulina ditore në kontrollin e glukozës, por me më pak rrezik për hipoglicemi, sidomos te pacientët me diabet të tipit 2. Deri tani, ajo rekomandohet vetëm për të rritur që nuk arrijnë të kontrollojnë saktë glukozën me trajtime si metformina. Për fëmijët nuk është ende e miratuar, ndërsa për diabetin e tipit 1 do tëpërdoret vetëm në raste të përzgjedhura.
Përfitime për pacientët dhe sistemin shëndetësor
Kalimi nga injeksione ditore në javore redukton ndjeshëm stresin dhe barrën praktike të terapisë, veçanërisht për të moshuarit dhe pacientët që varen nga kujdestarë. Gjithashtu, ka më pak gabime, më shumë qëndrueshmëri në trajtim dhe më pak mbetje mjekësore, gjë që sjell edhe përfitime për mjedisin.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë italianë, ky është një hap i madh përpara, rezultat i bashkëpunimit midis institucioneve, industrisë farmaceutike dhe komunitetit shkencor. Objektivi është që gjatë vitit 2025 kjo terapi të jetë e aksesueshme për sa më shumë pacientë në të gjithë vendin. Për momentin, rimbursimi është i kufizuar vetëm në disa rajone.