Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhur të Prizrenit, ku një rast i raportuar fillimisht si dhunë psikike në familje ka përfunduar me sulm fizik ndaj zyrtarëve policorë dhe arrestimin e një personi të dehur.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:40, kur Patrulla ka dalë në terren pas një raportimi për dhunë në familje. Në vendngjarje, i dyshuari Çlirim Susuri, rreth 25-vjeçar ishte nën kontrollin e babait të tij, L.L, rreth 52-vjeçar, i cili kishte njoftuar policinë.
Në momentin që zyrtarët kanë tentuar të prangosin të dyshuarin, ai ka bërë rezistencë aktive, duke goditur me bërryl një nga policët dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të lehta.
Pavarësisht rezistencës, policia ka arritur ta vërë nën kontroll të dyshuarin dhe ta fusë në automjetin zyrtar, por gjatë transportit ai ka vazhduar të sulmojë policët dhe të dëmtojë pjesët e brendshme të veturës. Në stacionin policor, Susuri ka vazhduar sjelljen agresive, duke goditur ormanët metalikë me kokë dhe duke tentuar të vetlëndohet, megjithëse ishte i prangosur.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme dhe njoftimit të hetuesit kujdestar dhe njësisë rajonale të hetimeve, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që rasti të iniciohet për veprat penale “Dhunë në familje”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
I dyshuari, i cili sipas burimeve ishte nën ndikim të alkoolit, është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa polici i lënduar ka marrë tretman mjekësor.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.