Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike rreth procedurës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Edhe në seancën e sotme, e udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari, u përsërit skenari i seancave të kaluara: propozimi për formimin e një komisioni ad-hoc që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar u hodh në votim, por nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 56 votuan pro, një ishte kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim – shifra të pamjaftueshme për të çuar përpara procedurën.
Partitë opozitare, të cilat kanë kundërshtuar vazhdimisht votimin e fshehtë duke e konsideruar atë si të papranueshëm në rrethanat aktuale politike, nuk dhanë sinjale për tërheqje nga qëndrimi i tyre.
Si rezultat, seanca u ndërpre sërish dhe është shtyrë për të enjten në orën 10:30, në përpjekje për një zgjidhje që ende duket larg./04 Online