Në emisionin Medicus në News 24, dermatologia Elna Çano theksoi se myku i lëkurës është më i shpeshtë gjatë verës, duke u përhapur për shkak të lagështirës dhe temperaturave të larta.
Ajo shpjegoi se këto ‘kërpudha’ mund të prekin jo vetëm lëkurën, por edhe thonjtë dhe flokët, dhe kërkojnë trajtim të shpejtë për të shmangur përhapjen e mëtejshme.
Specialistja theksoi rëndësinë e higjienës dhe përdorimit të produkteve të duhura për parandalimin dhe eliminimin e mykut, duke rekomanduar konsultimin me dermatologët për diagnoza dhe trajtime të sakta.
Dermatologe Elna Çano: Në verë ne hasemi më shumë me mykun e lëkurës, që janë disa lloje kërpudhash, që prekin pjesë të ndryshme të lëkurës. Nuk prekin vetëm lëkurën, por edhe pjesë të tjera të trupit si thonjtë dhe flokët. Në verë rastet janë më të shpeshta, për shkak të lagështirës, temperaturat shtojnë djersitjen dhe kërpudhat kështu rriten më shpejt në lëkurë. Duhet të drejtohesh tek dermatologu, kur vë re ndryshime në lëkurë. Ndonjëherë pacientët neglizhojnë dhe vijnë kur janë në gjendje pak më të rënduar. Format më të dukshme janë shenjat në lëkurë, që janë me ngjyra të ndryshme. Janë njolla që duken si diçka e vogël, por më vonë përhapen thuajse në gjithë trupin. Shumë pacientë kanë myk në pjesën e lëkurës. Duhet pasur kujdes, sepse nëse lihet ashtu, shkon tek myku i thonjve, që është më i vështiri për t’u kuruar. Duhet të shmangim këtë gjë, duke tharë lëkurën.
Kur bëjmë dush, këto zona duhet t’i thajmë sa më mirë me peshqir. Mund të lëmë veten të thahemi vetë dhe djersitja duhet të jetë sa më e pakët. Duhet që të mbajmë një higjienë të mirë për të eliminuar myket në pjesë të ndryshme të lëkurës. Duhet që të mos shkojmë në vende, ku ka tepër lagështirë. Duhet pasur kujdes në sauna, palestra, ku ka më tepër lagështirë. Duhen përdorur shapkat, mos veshim rroba sintetike, këto e favorizojnë mykun në lëkurë. Myku nuk është vetëm çështje estetikë, por është infeksion, që ndonjëherë është edhe ngjitës dhe mund t’ia ngjisim dhe të tjerëve. Shpesh herë pacientët përdorin vetë kremra, që ndonjëherë japin rezultat, por ka raste që kanë rezultat të kundërt. Prandaj nëse ka shenja, më mirë është të drejtohen tek mjeku dermatolog, pasi ekzaminimet janë profesionale e pacientët marrin një diagnozë të saktë dhe kur kemi diagnozën e saktë, edhe kurimi është i saktë.