Nga 500 deri në 1 mijë euro është vlera e gjobave me të cilat janë dënuar furrat e Kosovës për mashtrim në gramë të bukës, dhe mashtrimet që i bënë rreth çmimeve.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, teksa kanë treguar se për vlera më të larta të përcaktuar me ligj, inspektori i tregut inicon procedurë kundërvajtëse në gjykatat kompetente.
‘’Inspektorati varësisht nga shkelja qe konstatohet edhe dispozita ndëshkuese zbatohet .
Subjektet afariste qe merren me prodhimin e bukës apo furrat e bukës ndëshkohen, për deklaracion, për çmime ,për peshë ,etj. Vlera e gjobës është prej 500 Euro deri 1.000 Euro , shqiptohet me vendim të inspektorit të tregut, kurse për vlera më të larta të përcaktuar me ligj, inspectori i tregut inicon procedurë kundërvajtëse në gjykatat kompetente’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë, për rtv21.
Inspektorati i Tregut në Kosovë nga janari ka inspektuar 10 furra në Kosovë. Inspektime më së shumti ka pasur në Prishtinë.
‘’Inspektorati i tregut ne vazhdimësi mbikëqyrë dhe subjektet afariste qe merren me prodhimin e bukës . Inspektorët e Tregut kanë inspektuar 10 subjekte , kurse të dhënat për inspektimet e inspektorëve të tregut të Komunave, akoma nuk i kemi të sakta’’, ka thënë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Të pyetur se ‘’sa kanë “vjedhur” furrat në gramë?’’, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se ‘’çfarëdo peshe që rezulton ndryshe me peshën e deklaruar, Inspektorati i Tregut e trajton si mashtrim’’.