Kryetari i Federatës së Autoshkollave në Kosovë, Xhemshit Cakolli, ka thënë se kandidatët po duhet të presin tre deri në katër muaj për t’u pajisur me patentë shoferë për shkak të mungesës së materialit, e cila është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Cakolli ka thënë se nuk mund të lëshojnë ndonjë vërtetim që kandidatët të kenë të drejtë të vozisin derisa ta marrin dokumentin e patentë shoferit. Kjo, sipas tij, po shqetëson kandidatët.
“Te ne kjo mungesë e patentë shoferëve nuk ka ndikuar, pasi ne e aftësojmë kandidatin në pjesën teorike dhe praktike. Te ne nuk është ndier, por e kanë ndier kandidatët, që e kanë përfunduar edhe pjesën teorike e praktike. Ka pritur të dalë në rrugë me automjet, por po pret tre deri në katër muaj për t’u pajisur me patentë shoferë. Derisa nuk pajiset nga Ministria e Brendshme, kandidati nuk mund ta drejtojë automjetin sepse nuk kemi të drejtë të japim ndonjë vërtetim. Ministria e Brendshme është kompetente. Ajo është çështje e tyre dhe është për habi që nuk ka letër për të lëshuar një patentë shoferë. Kjo po i shqetëson me të drejtë kandidatët”, ka thënë ai në emisionin “SOT” të KTV-së.
Edhe më të habitshëm, Cakolli e ka konsideruar faktin se për dy ditë nuk ka pasur as fletëparaqitje për provim.
“Një kohë, dy ditë, kemi pas mungesë edhe për fletëparaqitje të provimeve. Hala më e habitshme dhe më e çuditshme ishte kjo”, ka thënë ai.
Kreu i Federatës së Autoshkollave ka thënë se janë reduktuar vonesat për nënshtrimin e testit praktik, pavarësisht numrit të vogël të ekzaminerëve. Ka deklaruar se me Ligjin për patentë shoferë, që pritet të miratohet në Kuvend së shpejti, do të rregullohet çështja e ekzaminerëve që do të fitojnë kontratë të përgjithshme.
Cakolli ka thënë se kalimi në versionin elektronik për testin e patentë shoferëve po shkon shumë mirë. Sipas tij, në versionin elektronik ka më pak mundësi për manipulime.
Ai ka thënë se çmimet e autoshkollave kanë mbetur të njëjta, pavarësisht rritjes së çmimeve në sektorë të tjerë.
Interesim më të madh, sipas Cakollit, përveç kategorisë B [për drejtimin e veturave], ka edhe për kategorinë D [drejtimin e autobusëve].
Nga Ministria e Brendshme më herët kanë thënë se janë duke punuar për t’i evituar vonesat për shkak të mungesës së materialit.