Deputetja britanike: Emisarët ta pranojnë se politika “Beogradi i pari” s’është në interesin më të mirë të rajonit

0
157

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka folur për vizitën e pesë emisarëve të cilët do të zbarkojnë të shtunën në Kosovë dhe Serbi.

Kearns ka thënë se shpreson se ajo që do të ndodh do të jetë një qasje e ekuilibruar dhe proporcionale, derisa shton se emisarët duhet ta pranojnë se politika me në qendër Beogradin nuk është në interesin e Ballkanit Perëndimor, dhe si e tillë është e gabuar.

“Shpresoj që ajo që do të shohim është ekuilibri dhe proporcionaliteti dhe të pranojnë se politika “Beogradi i Pari” nuk është ajo që është e drejtë dhe në interesin më të mirë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të sigurohemi që mund t’i bashkojmë vendet dhe të punojmë drejt paqes dhe kjo do të thotë të dëgjojmë të gjithë zërat dhe të sigurohemi që të kalojmë në strukturat dhe proceset demokratike që sjellin paqen“, ka thënë deputetja Kearns.

Sipas saj, qasja “merre ose lëre” është e rrezikshme.

“Mendoj se merre ose lëre është një politikë e rrezikshme për t’u ndjekur. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi negociata dhe diskutime domethënëse me partnerët tanë, në mënyrë që të arrijmë në zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka shtuar tutje deputetja britanike.

Ishte e paraparë që deputetja Kearns ta vizitojë Kosovën sot, mirëpo Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se është shtyrë për një kohë të pacaktuar takimi i paralajmëruar i saj me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është ndër zërat më të fuqishëm britanikë në mbrojtje të ligjshmërisë së Kosovës në pjesën veriore, që në muajin korrik kishte publikuar disa të dhëna shumë shqetësuese në lidhje me kriminalitetin serb në këtë pjesë të vendit.

Kearns kishte thënë se Ushtria Britanike e angazhuar në KFOR ka siguruar të dhëna se Kisha Ortodokse serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, dhe këtë po e bën përmes auto-ambulancave.

“Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i quajmë ashtu siç janë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët (Regjimenti Mbretëror, shën.red.) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona marrin vesh këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja – çfarë befasie – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, tha Alicia Kearns për T7.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here