Akti dhe fakti i futjes së kandidatëve për deputet në Parlamentin e ardhshëm i anonimusave, i analistëve, i tik-tokerave, i bigbrodherave, e futbalerave, i këngëtareve, i…, e jo edhe i intelektualëve dhe meritokratëve (që tashmë i kemi) për zgjedhjet nacionale, e dëshmon më së miri se partitë tona politike e meritojnë vërtetë nga një “testimonium paupertatis racio” (certifikatë të varfërisë së mendjes). Dëshmi, kjo që në fakt na e sinjalizon qartazi edhe shkallën tonë të përgjithshme të emancipimit politik. Dhe jo vetëm kaq, por, ky listim me faktin dhe aktin e vazhdimit të “odisejades” së përzgjedhjes së kandidatëve nepotist e mbi të gjitha pa kurrizor e poltronist (!?) që si thotë populli e “shikojnë vetëm çka thotë goja e liderit”, e jo mendja, dija dhe bashkë idetë e tyre profesionale, na e dëshmon edhe katandisjen e sotme sociale e kulturore.
Kosova, me shumicën e kandidatëve poltronista të përzgjedhur absolutisht në mënyrë selektive nga autokracia partiake dëshmon më së miri për një papërgjegjësi e dështim të politik bërjes sonë. Autokraci kjo që dëshmon më së miri se ata nuk janë ende të përgatitura as për menaxhim, as për udhëheqje të institucionale të shtetësisë, e as për ballafaqim me Serbinë, as me Uashingtonin e as me Brukselin…
Tjetër, si mund të shquhen këto zgjedhje demokratike, kur kemi vetëm një njësi zgjedhore me gjitha këto komuna e nënkomuna, e kur votuesi do hutohet me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit i cili duhet denjësisht ta përfaqësoj interesin qytetar, në vend të atij klanor e partiak që ia ka servuar lideri!? Me këtë rast ne do kemi jo deputet të votuar nga njësia prej nga vie, po deputet që i ka përzgjedhë autokracia dhe lideri i partisë. Parlamenti, gjithashtu do shndërrohet jo në aulë e ballafaqimit të argumenteve legjislative pro et contra, por, në shëmbëlltyrë të liderit, në vend të shëmbëlltyrës së qytetarëve. Gjë që kandidatin e fut në obligime ekskluzive të klientelës partiake. Ky tip kandidati llogaridhënien, nuk e ka për obligim qytetar, madje shanset për ta tradhtuar edhe liderin bashkë me partine janë maksimaliste. Sikur kandidatët të përzgjidheshin nga zonat ku ata gravitojnë, obligimet do ishin shumë më ndryshe.
Shkruan: Fadil MALOKU – Profesor i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online