Depresioni dhe vetëvrasja: Një perspektivë klinike dhe sociale

0
71

Në kohët e fundit, është raportuar një rritje shqetësuese e rasteve të vetëvrasjeve, veçanërisht midis të rinjve. Ky fenomen paraqet një alarm për shoqërinë tonë dhe kërkon një vëmendje të shtuar për të adresuar shkaqet e tij, ndërkohë që përpiqemi të ndërtojmë një qasje më të mirë për parandalimin e tragjedive të tilla. Si psikolog klinik specialist, ndjej përgjegjësinë për të ndarë një perspektivë shkencore dhe sociale mbi këtë problematikë komplekse, duke synuar ndërgjegjësimin dhe veprimin e përbashkët të shoqërisë.

Depresioni si faktor rreziku

Depresioni është një nga çrregullimet më të zakonshme të shëndetit mendor dhe një ndër faktorët kryesorë të rrezikut për vetëvrasje. Studimet e shumta kanë treguar se mbi 90% e individëve që kryejnë vetëvrasje vuajnë nga një çrregullim i shëndetit mendor, kryesisht depresioni dhe çrregullimet e ankthit.

Simptomat kryesore të depresionit dhe shenjat paralajmëruese të rrezikut përfshijnë:

            •           Mungesa e shpresës dhe ndjenja e pavlefshmërisë;

            •           Humbja e interesit për aktivitete që dikur ishin të rëndësishme;

            •           Dëmtime të funksionimit të përditshëm, si mungesa e energjisë, tërheqje nga        aktivitetet e përditshme ose izolimi social;

            •           Mendime të përsëritura për vdekjen apo dëshira për t’i dhënë fund jetës.

            •           Ndryshime drastike të humorit ose sjelljes;

            •           Konsumimi i tepruar i substancave.

Nëse këto simptoma nuk identifikohen dhe trajtohen në kohë, individi mund të ndodhet në një situatë ku vetëvrasja shihet si zgjidhje për vuajtjen. Është thelbësore që familjet, miqtë dhe komuniteti të jenë të ndërgjegjshëm për shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes.

Faktorët që kontribuojnë në depresionin tek të rinjtë përfshijnë:

            •           Presionet sociale dhe ekonomike: Gjeneratat e reja përballen me sfida të paprecedentë në lidhje me punësimin, edukimin dhe standardet e larta sociale.

            •           Izolimi social: Teknologjia digjitale kanë ndikuar në reduktimin e kontakteve të drejtpërdrejta, duke thelluar ndjenjat e vetmisë.

            •           Stigma ndaj shëndetit mendor: Mungesa e hapësirave të sigurta për të folur mbi emocionet dhe problemet personale vazhdon të jetë një pengesë për kërkimin e ndihmës.

Rritja e rasteve te gjeneratat e reja

Të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj sfidave të shëndetit mendor për shkak të presioneve sociale dhe pritshmërive të. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vetëvrasja është ndër shkaqet kryesore të vdekjes për personat e moshës 15-29 vjeç. Kjo statistikë flet qartë për një krizë të gjeneratës së re, e cila përballet me sfida komplekse që kërkojnë ndërhyrje gjithëpërfshirëse.

Kjo rritje na shtyn të reflektojmë mbi presionet dhe ndërlikimet që të rinjtë përjetojnë. Përveç sfidave personale dhe sociale, ndikimi i rrjeteve sociale shpesh krijon një realitet të shtrembëruar, ku krahasimet e pafundme dhe pritshmëritë joreale çojnë në ulje të vetëbesimit dhe rritje të ankthit.

Rëndësia e parandalimit

Parandalimi i vetëvrasjes kërkon qasje të shumëfishta, duke filluar nga edukimi dhe ndërgjegjësimi deri te sigurimi i qasjes së shpejtë dhe efektive në shërbimet e shëndetit mendor.

Hapat e nevojshëm për parandalim përfshijnë:

            1.         Identifikimi i hershëm i shenjave paralajmëruese: Ndryshimet e papritura të sjelljes, izolimi social, dhe shprehjet e dëshpërimit janë disa nga indikatorët kryesorë që kërkojnë vëmendje.

            2.         Ndërgjegjësimi dhe edukimi publik: Luftimi i stigmës ndaj shëndetit mendor është thelbësor për të inkurajuar individët që të kërkojnë ndihmë.

            3.         Forcimi i sistemit të kujdesit ndaj shëndetit mendor: Nevojitet një rrjet më i fortë i qendrave të shëndetit mendor dhe terapistëve të qasshëm për të gjithë.

            4.         Mbështetja sociale dhe familjare: Një mjedis mbështetës dhe i hapur mund të ndihmojë individët të ndihen më të sigurt për të ndarë ndjenjat e tyre.

Roli i psikoterapisë

Psikoterapia, si Terapia Kognitive-Biheviorale (CBT), Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit (ACT), dhe qasjet tjera të personalizuara, ka dëshmuar efektivitet në reduktimin e mendimeve vetëvrasëse dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Është thelbësore që individët të kenë qasje të plotë në këto trajtime pa ndjerë turp apo paragjykim.

Rritja e rasteve të vetëvrasjeve, veçanërisht në mesin e të rinjve, nuk është një problem individual, por një sfidë shoqërore që kërkon një qasje të përbashkët. Lufta kundër depresionit dhe vetëvrasjes fillon me ndërgjegjësimin dhe përfundon me mbështetjen aktive. Me ndërgjegjësim, edukim dhe mbështetje profesionale, mund të ndërtojmë një mjedis ku askush nuk ndihet i vetëm përballë sfidave mendore dhe ku jeta triumfon mbi dëshpërimin. Për të shpëtuar jetë, duhet të ndërtojmë një kulturë të kujdesit dhe mbështetjes, ku çdo individ ndjen siguri për të ndarë sfidat e tij dhe ku ndihma profesionale është gjithmonë e çasshme. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri që respekton dhe mbron jetën. Një shoqëri që investon në mirëqenien mendore të të rinjve të saj është një shoqëri që ruan dhe fuqizon të ardhmen.

Dr. Sc. Latif HoxhaPsikolog Klinik Specialist

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here