Dënohet me 5 mijë euro gjobë shoferi që goditi për vdekje këmbësorin në Landovicë

0
247

Shoferi i cili nga pakujdesia goditi për vdekje këmbësorin në magjistralen Prizren-Gjakovë, është dënuar me 5 mijë euro gjobë. Viktima u godit për vdekje nga makina mbrëmjen e 19-nëntorit të vitit 2020, teksa po lëvizte në këmbë në rrethrrotullimin në hyrje të Landovicës.

Sipas Prokurorisë, A. M., ishte goditur dhe tërhequr në një distancë prej 74 metra nga vetura të cilën ngasësi dyshohet se nuk i është përshtatur shpejtësisë së lejuar, kushteve dhe pamjes së rrugës.

Shoferi më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këtë ngjarje kundër Vllaznim Brahajt është ngritur akuza për veprën penale rrezikimi i trafikut publik.

I akuzuari gjatë procedurës së administrimit të provave ka pranuar fajësinë.

Pas pranimit të fajësisë, fillimisht atij  i janë shqiptuar 6 muaj burg, por me pëlqimin e mbrojtësit të tij burgu i është zëvendësuar në gjobë në shumën 5 mijë euro.

E dëmtuara Fatime Veshall për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi është shpallur më 24 tetor 2022, nga gjykatësja Vjollca Buzhala.

Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit ka marrë për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Si rrethanë rënduese është përmendur karakteri i veprës penale të cilat vepra janë në rritje e sipër dhe është në pyetje jeta e njeriut.

Rrethanë lehtësuese gjykata ka gjetur rrethanat personale dhe familjare, sjellja korrekte gjatë procedurës, është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin dhe pendimi i tij.

I akuzuari sipas Gjykatës është lajmëruar vetë në stacionin policor. Gjykata ka cekur po ashtu se familjarët e të akuzuarit i janë gjendur pranë familjes së të ndjerit me ndihma materiale dhe personale.

Më tej thuhet se pas dëgjimit të ekspertit, i akuzuari e ka pranuar fajësinë pasi në fillim ka qenë i bindur se viktima është goditur nga dikush tjetër.

Rrethanë tjetër lehtësuese që u mor për bazë nga Gjykata është gjendja shëndetësore e viktimës i cili ka qenë nën ndikimin e barnave, ka ecur në këmbë nga Prizreni deri në Landovicë dhe premtimi i të akuzuarit se nuk do të kryejë më veprime inkriminuese.

“Gjykata ka konstatuar se më këtë arrihet qëllimi i dënimit nga neni 38 të KPRK-së, i cili konsiston në parandalimin e të akuzuarit nga kryerja e veprave penale si dhe të parandalojë personat e tjerë në kryerjen e veprave”- thuhet në arsyetim.

Rasti është me ankesë në shkallën e dytë ku Gjykata e Apelit për këtë çështje pritet të vendos në vijim.

Sipas Prokurorisë, Vllaznim Brahaj më datë 19 nëntor 2020, në orën 20:30 minuta, në Prizren, në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë, saktësisht para rrethrrotullimit në hyrje të fshatit Landovicë, drejton automjetin në kundërshtim me rregullat trafikut.

Si rrjedhojë e pakujdesisë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe pamjes së rrugës si dhe duke mos kushtuar kujdes të shtuar gjatë kalimit të këmbësorit në pjesën ku ishin duke u kryer punime dhe kufizimi i shpejtësisë ishte 20km/h, kur arrin në vendin e ngjarjes me veturë e godet këmbësorin A. M.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Brahaj me veturë kalon mbi këmbësorin e tërheqë në një distancë prej 74 metra, pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Nga lëndimet e marra A. M., ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Me këtë Vllaznim Brahaj akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik.

Kodi Penal ka përcaktuar se kushdo që shkel ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikon jetën e njerëzve apo pasurinë dhe me këtë i shkakton dikujt dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Por, nëse vepra penale nga ky paragraf rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.Nëse vepra penale kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here