Qeveria e Kosovës e ka nxjerrë në konsultim publik Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.
“Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativave të qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”, thuhet në Nenin 1 të këtij Udhëzimi.
Sipas, nenit 4, inicimi i kërkesës për largimin e kryetarit të komunës, thotë se secili qytetarë apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës dhe se secili qytetar apo grup qytetarësh që ndërmarrin iniciativën për largimin e kryetarit të komunës, do të caktojnë një person përgjegjës që shërben si pikë kontakti.
Ndërkaq, neni 5, thotë se në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij Udhëzimi.
Ky veprim kishte nxitur dhunë dhe eskalim të situatës në veri. Që nga ajo kohë Shetete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar deeskalim të situatës dhe zgjedhje të reja në veri.
Më 10 korrik, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, kanë konfirmuar se në një takim në Bratisllavë kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri.
Një ditë më vonë ishin prezantuar edhe hapat konkretë, të cilët parashikonin tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në fund të verës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.