Lionel Messi shënoi emrin e tij në listën e golashënuesve të Argjentinës në fitoren e fundit ndaj Venezuelës me rezultatin 3-0, një sfidë e vlefshme për kualifikueset e Katar 2022, teksa kombëtarja Albiceleste e ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror. Pas sfidës, sulmuesi i PSG ngriti shumë pikëpyetje për vazhdimësinë e tij me përfaqësuesen teksa u shpreh se pas Kupës së Botës në dhjetor, shumë gjëra do të ndryshojnë.
“Nuk e di çfarë do të bëj pas Kupës së Botës në Katar, po mendoj vetëm për ndeshjen e radhës që është ajo ndaj Ekuadorit. Pas Katarit do të më duhet të reflektoj dhe të mendoj. Jam i lumtur te Argjentina, fituam edhe Kupën e Amerikës dhe kjo e ka përmirësuar ambientin.
Më vjen mirë që të gjithë te Argjentina më bëjnë të ndihem i lumtur, por nuk e di si do të shkoj pas Botërorit. Me siguri shumë gjëra do të ndryshojnë pas Kupës së Botës”, u shpreh Messi, i cili në muajin qershor do të festojë datëlindjen e 35-të./SS