Degradimi i Drinit të Bardhë, arrestohet edhe një person

0
107

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me zyrtarët policorë është arrestuar edhe personi i nëntëmbëdhjetë lidhur me aksionin kundër degradimit të mjedisit përgjatë shtratit të Drinit të Bardhë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore DKOKR- DPP – Prishtinë, kanë arrestuar personin e nëntëmbëdhjetë lidhur me aksionin prokurorisë kundër degradimit të mjedisit. Për të njëjtin, Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore ka siguruar prova lidhur me degradimin e mjedisit, mirëpo me rastin e ndërmarrjes së aksionit me datë 04.06.2025 i njëjti ka qenë i paidentifikuar për policinë. Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një (1) kamion dhe një (1) eskavator”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, raporton Telegrafi.

I pandehuri i arrestuar, sipas Prokurorisë, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në rajonin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe ka shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr.

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 të KPRK-së”.

Po ashtu, nga veprimet e lartcekura sipas Prokurorisë është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i  rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356  të KPRK- së”.

I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin, Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

Arrestimi i personit të sipërpërmendur paraqet vazhdimësi të aksionit të datës 04.06.2025, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit ishin arrestuar tetëmbëdhjetë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që çojnë në ndotjen dhe degradimin e mjedisit. Ky arrestim i radhës dëshmon përkushtimin institucional për të identifikuar dhe ndjekur penalisht të gjithë të përfshirët në këtë dukuri të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin natyror.

“Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here