Debate për anëtarësim në BE pa veto – Shqipëria, Serbia e RMV i thonë po, Kosova e cilëson ‘‘skenar hipotetik’’

0
61

Brukseli kohëve të fundit ka paralajmëruar hapjen e dyerve për anëtarë të rinj në BE për disa vende të Ballkanit Perëndimor.  Diçka që s’ka ndodhur qe nga 2013, atëherë kur Kroacia mori dritën e gjelbër që t’i bashkohet BE’së. Ani pse jo gjithçka është e qartë, vite si 2027 e 2029 janë përmendur si mundësi për anëtarësime të reja. Një nga figurat kryesore të politikës evropiane që ka folur për këtë çështje, ka qenë, kancelari gjerman, Friedrich Merz. Ky i fundit, gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, u shpreh ‘’i pakënaqur’’ me qasjen e shteteve evropiane drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

Merz deklaroi edhe se, vendet e rajonit janë pjesë e kontinentit të vjetër dhe se, shprehu dëshirën për hapjen të sa më shumë kapitujve nga vendet, në mënyrë që të afrohen sa më shumë me BP’në.

Në anën tjetër, nga vendet e rajonit ballkanik, të cilat presin me padurim anëtarësimin në BE, kohëve të fundit janë shfaqur gatishmëri për konsensus, që, potencialisht mund të lehtësojë anëtarësimin e tyre në këtë union.

I pari që u shfaq i hapur për marrëveshje të veçantë me BE’në për anëtarësim, është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ky i fundit, para disa muajsh, hodhi idenë e anëtarësimit në BE pa të drejtën e vetos. Ide të cilën, Rama, deklaroi se e ka proklamuar qe një kohë, dhe se për ta, ‘’nuk është e nevojshme veto’’.

“Ka brenda BE-së shumë nga ata që sjellin telashe dhe thonë jo. Ata kanë veto. Për një kohë të gjatë kam thënë se ne pranojmë të jemi anëtarë dhe me një status ndryshe, pa të drejtë vetoje dhe vote për aq kohë sa BE të reformojë veten, proces që duket se është shumë i vështirë,” kishte deklaruar Rama, përcjell Express.

Kryeministri i Shqipërisë, vend i cili është më së afërmi anëtarësimit në BE nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, kishte deklaruar edhe se, qëllimi i vendit që udhëheq ai është që të bëhen ‘’më të fortë së bashku’’ me BE’në.

“Ne duam të bëhemi më të fortë së bashku dhe, për ta arritur këtë, jemi të gatshëm të heqim dorë nga gjëra që ju i shihni si të ndërlikuara. Prandaj, nuk kemi nevojë për veto, nuk do të votojmë kurrë kundër shumicës dhe nuk kemi nevojë për komisionerin tonë”, kishte thënë Rama ndër tjerash.

Së fundmi, nga raportimet që u bënë, Ramës në këtë ide iu bashkua edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Të paktën kështu deklaroi gazetari i gazetës prestigjioze gjermane “FAZ” Michael Martens. Ky i fundit, përmes një postimi të tij, ditë më parë, deklaroi se presidenti serb, ka dhënë ‘’mesazh’’ se Serbia do të ishte e gatshme që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian edhe pa të drejtën e vetos.

‘’Presidenti i Serbisë, Vuçiç, në faqen e parë të FAZ-it – kjo nuk ka ndodhur prej kohësh. Mesazhi i tij: Serbia do të ishte madje e gatshme të hiqte dorë përgjithmonë nga e drejta e vetos, e cila zakonisht i përket çdo shteti anëtar të BE-së, në këmbim të një anëtarësimi (aktualisht hipotetik) në BE. Më shumë së shpejti këtu’’, ka shkruar ai ditë më parë.

Lidhur me këtë ide, është deklaruar edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Ai u shpreh se ekziston mundësia e anëtarësimit në BE, por pa të drejtë vote. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, sipas Mickoskit’it, e njëjta do të realizohej, të në vitin 2027, si pjesë e një skenari që lidhet me planin e paqes për Ukrainën.

“Ekziston një ide që po dëgjohet gjithnjë e më me zë të lartë në Bruksel dhe përreth dhe përfshin planin e paqes për Ukrainën në të cilin praktikisht integrimi i Ukrainës, dhe me qëllim rindërtimin e ardhshëm, brenda BE-së do të ishte në një rrugë të shpejtë. Kjo do të ishte joparimore ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ka dy skenarë. Është mirë që jemi në të dy skenarët. Skenari i parë është që Ukraina, së bashku me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë, të bëhen anëtare të BE-së dhe që në fillim të vitit 2027, të ulet në tryezë, flamuri maqedonas të valëvitet në Bruksel, por pa të drejtë vote. Të marrë pjesë në punën e këshillit, komiteteve, organeve, me shumë mekanizma të kontrollit të brendshëm. Ky integrim do të ndodhte në vitin 2027. Kushti i dytë është që edhe vendet e tjera në rajon, si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia, t’i bashkohen kësaj’’, ka thënë Mickoski, në “Samo Intervju” në “Kanal5”.

Për dallim nga këto tri shtete, Kosova në anën tjetër, ‘’s’ka komentuar’’ lidhur me këtë ide. Gazeta Express ka tentuar të marrë përgjigje lidhur me këtë çështje, për të kuptuar qëndrimin e qeverisë kosovare, megjithatë, nuk ka marrë asnjë deklarim.

Porse, Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, për Radio Evropa e Lirë, ka thënë qeveria do të shqyrtojë idenë në rast se ‘’ky skenar hipotetik materializohet’’.

“MPJD-ja nuk komenton diskutimet eventuale të mbyllura të institucioneve të BE-së. Në rast se ky skenar hipotetik materializohet, ne do ta shqyrtojmë në kohën e duhur. Tani, për Kosovën është e rëndësishme të fillojë procesin zyrtar të integrimit, duke marrë statusin e kandidatit dhe pyetësorin”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Kosova që së voni ka qeverinë e re pas më shumë se një viti, dhe pas disa muajsh bllokadë, duket se është përballë një ngërçi të ri politik: Atë të zgjedhjes së presidentit, qe duhet të bëhet deri me 4 mars.

Kësisoj, politika e jashtme e Kosovës, e cila është nën detyrë të presidentit dhe Ministrisë së Jashtme, në njërën anë është në dorë të Vjosa Osmanit, e cila siç duket po kalon ditët e saj të fundit në këtë pozitë, dhe në anën tjetër, në dorë të Glauk Konjufcës, i cili sapo ka marrë përgjegjësitë e reja.  /GazetaExpress

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here