DASH- i kërkon Kosovës ta rishikojë vendimin e BQK-së për heqjen e dinarit

0
178

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Këtë vendim e ka komentuar një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga kjo rregullore.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë” ka thënë zëdhënësi për Pavlovic Today.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje.

Sipas këtij mediumi, Departamenti i Shtetit nënvizoi se, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.

“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, citohet zëdhënësi.

“Departamenti i Shtetit theksoi se individët në Kosovë të cilët “në mënyrë legjitime marrin ndihmë financiare nga Serbia kanë nevojë për qasje në një mekanizëm ligjor funksional përmes të cilit ata mund ta marrin atë mbështetje”.

Sipas tij, institucionet që ofrojnë shërbime jetike, si arsimi dhe shëndetësia, “duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë funksionimin e tyre”.

Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e operacioneve me para të gatshme. Me synimin për të luftuar paratë e falsifikuara dhe format e tjera të krimit financiar, ajo specifikon se euro është e vetmja monedhë e lejuar për pagesa “cash” (para të gatshme) dhe digjitale në vend.

Rregullorja thekson se valutat e tjera që nuk janë euro mundë të përdoren vetëm si gjëra me vlerë për t’u ruajtur në formë fizike, në llogari bankare për qëllime valutore.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – u bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e pakoordinuara. Nga blloku evropian po ashtu kanë thënë se janë dhe analizuar dhe duke kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim dhe për implikimet që ai mund të ketë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

“Nëse keni parasysh se dhjetëra mijëra serbë jetojnë dhe mbijetojnë në Kosovë, dhe se të gjitha institucionet serbe funksionojnë falë kontributeve financiare të shtetit tonë të Serbisë, atëherë mund ta imagjinoni se çfarë do të ndodhte me popullin tonë nëse do të hiqej dinari. Kurti do ta ndërpresë jetën e serbëve në Kosovë”, thanë nga kjo parti përmes një komunikate.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, rëndësia e veçantë e rregullores së BQK-së qëndron te përcaktimi i valutës që lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare në Kosovë, e që në këtë rast është euroja.

“Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”, shkroi Bislimi në Facebook.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta joeuro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here