“Dardanët” tregojnë forcën ndaj Zvicrës, optimizëm nën drejtimin e Giresse

0
313
Foto: Arkiva

Kosova shfaq tjetër fytyrë nën drejtimin e francezit e Alain Giresse. Pas fitores së thellë 5-0 ndaj Burkina Fasos në “Fadil Vokrri”, “dardanët” barazuan 1-1 në Zyrih përballë Zvicrës së Xhakës e Shaqirit, duke marrë një tjetër rezultat pozitiv, që rrit entuziazmin për të ardhmen.

Që në minutat e para u pa qartë që Kosova kishte udhëtuar për rezultat pozitiv drejt Zvicrës. Rast ideal shënimi për Valon Berishën në minutën e 32-të, por “dardani” nuk arrin të shënojë. Në të 38-tën Zuber vë në provë Aro Muricin, që reagon në pozicion. “Gardiani” i Kosovës nuk surprizohet as nga goditja e fuqishme e Shaqirit në të 43-tën. Pjesa e parë mbyllet me dominimin e lehtë të Kosovës në zotërimin e topit.

Kosova e nis me ritmin e duhur edhe fraksionin e dytë, derisa në minutën e 52-të Milot Rashica zhbllokoi rezultatin, pas një gabimi të mbrojtjes vendëse. Merita e Zymer Bytyqit që nxori në pozicion të volitshëm sulmuesin e Norwichit, që gjithsesi pati edhe fatin me vete në shënimin e golit.

Vetëm nëntë minuta zgjati epërsia e Kosovës, pasi në të 61-tën Lotombo përfitoi edhe nga dalja e gabuar e portierit Muric, duke e dërguar me kokë topin në rrjetë.

Granit Xhaka, i cili luajti ndeshjen numër 100 me përfaqësuesen helvete u zëvendësua nga Freuler në minutën e 63-të, ndërsa Edon Zhegrova në të 68-tën mori vendin e Bytyqit, kurse Dreshevic u inkuadrua në vend të Idrizit. Para se të zëvendësohej, Shaqiri tentoi të befasonte Aro Muricin, por gjuajtja e tij ishte qendrore (72’) dhe vetëm një minutë më pas Dreshevic bëri të fluturonte portieri vendës, që e çoi topin në goditje këndi.

Muslija dhe Fazliji aktivizohen në minutën e 76-të, ndërsa në minutat shtesë u hodhën në fushë Domgjoni dhe Kastrati. U mbyll 1-1 kjo miqësore e veçantë për Kosovën në Zyrih. Rezultati i dytë pozitiv nën drejtimin e Alain Giresse, impakti i të cilit në stolin e Kosovës është evident./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here