Pesë prej 28 të dyshuarve të intervistuar nga grupi i dytë i të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren janë ndaluar për 48 orë, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.
Sipas një njoftimi për media, në grupin e dytë janë intervistuar 28 të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë.
Katër nga të ndaluarit janë kryesues të komisioneve. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve të votave. Tjetri është koordinator i KKZ-ve për Prizren. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të zgjerimit të hetimeve, janë intervistuar njëzet e tetë (28) të dyshuar dhe gjashtë (6) dëshmitarë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Në fund të njoftimit, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Në grupin e parë në Prizren ishin intervistuar 109 persona. Prej tyre 23 janë në paraburgim./Gazeta Sinjali/














































