Asambleistja e LVV-së në Prizren, Dafina Alishani, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS), raporton 04 Online.
Ajo ka akuzuar komunën për favorizim të organizatave dhe klubeve të afërta me pushtetin, duke theksuar se ndarja e mjeteve nuk bazohet në merita por në lidhje politike. Alishani publikoi edhe shumat e ndara për këtë vit, duke i bërë thirrje qytetarëve që të gjykojnë vetë drejtësinë e kësaj qasjeje, të cilën ajo e quajti të padrejtë për Prizrenin.
Reagimi i plotë i Dafina Alishanit:
Të nderuar qytetar të Prizrenit,
Ka disa ditë që po i shohim reagimet e Komunës së Prizrenit në lidhje me subvencionet e Drejtorisë së Kulturës Rinisë Sportit.
I gjithë qyteti është i vetëdijshëm për qasjen e DKRS-së karshi OJQ-ve të cilët nuk janë të afërt me pushtetin. I gjithë komuniteti sportiv dhe kulturor e din qasjen e drejtorit të DKRS-së dhe i gjithë qyteti e din edhe cilat festivale dhe cilat OJQ e cilat klube sportive përkrahen me shuma më të mëdha se sa e meritojnë.
Për hirë të korektësisë po i ndaj shumat e subvencioneve për këtë vit. Vlerësimin bëni ju vet dhe besoj që e kuptoni qasjen e këtij pushteti ndaj kulturës e sportit në qytet.
Thirrjet për subvencion mos i bëni me kritere për projekte, por i bëni me kritere se sa janë të afërt me pushtetin.
Këtë qasje nuk e meriton Prizreni aspak!