Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se Serbia insiston me vendosmëri për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe se “kjo është pika e parë në përmbushjen e marrëveshjes në Ohër”.
“Në planin e zbatimit janë vetëm dy gjëra që janë përmendur në fillim – Asociacioni dhe deklarata për personat e zhdukur. Këto do të jenë, siç më tha presidenti Vuçiq, temat kryesore. Se me çfarë dinamike do të jenë krejt këto është vërtetë shumë e vështirë të thuhet, por është thelbësore, sepse pa Asociacionin nuk do të ketë zbatim as të pjesëve tjera të asaj marrëveshjeje”, tha Daçiq.
Ai ka akzuaur Kryeministrin Kurti se çdo ditë krijon kriza të reja, me qëllim që ta largojë vëmendjen te problemet në terren dhe të “konkludojë” se ende nuk ka kushte për formimin e Asociacionit.
“Ata sigurisht presin që serbët të dëbohen dhe të mos ketë nevojë për Asociacionin. Serbia ka një qëndrim të prerë. Ne do të jemi me njerëzit tanë në Kosovë. Para takimit të nesërm, një gjë është e sigurt: Serbia do të jetë konstruktive. Presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, ka përfunduar Daçiq.