“CSKA gati të bëjë gjithçka për Dellovën: Kontrata, pasaporta dhe shuma rekord!”

0
91

CSKA Sofia po punon intensivisht për të bindur qendërmbrojtësin kosovar, Lumbardh Dellova, që të mos largohet gjatë merkatos së verës.

Sipas mediave bullgare, klubi ka rikthyer negociatat me 26-vjeçarin, duke synuar të mos e lejojë atë të transferohet për një shumë të ulët, siç është klauzola e tij prej 900 mijë eurosh.

Sipas raportimit të “Tema Sport”, CSKA-ja i ka bërë Dellovës një ofertë interesante: pasaportë bullgare, që do t’i hapte rrugë për të qëndruar në Evropë së bashku me familjen, si dhe një kontratë të re deri në vitin 2029, me një pagë mujore prej rreth 30 mijë eurosh, shkruan Gazeta Express.

Çështja më e diskutueshme mbetet klauzola e lirimit. Dellova dëshiron që ajo të rritet, por të mos kalojë 1.5 milionë euro, ndërsa CSKA-ja preferon ta eliminojë tërësisht.

Megjithatë, të dyja palët janë afër një marrëveshjeje, pasi klubi nuk dëshiron ta humbasë mbrojtësin, që ka fituar vendin e titullarit të padiskutueshëm.

Kujtojmë se Dellova ishte pranë largimit verën e kaluar, por refuzoi ofertën e bujshme të klubit saudit Al Namja, për shkak të dëshirës së gruas së tij për të qëndruar në Evropë.

Përveç rëndësisë në nivel klubi, Dellova vazhdon të ketë rol kyç edhe te Kombëtarja e Kosovës, duke qenë një shtyllë në mbrojtje pranë Amir Rrahmanit dhe Albian Hajdarit nën drejtimin e Franco Fodas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here