Skuadra arabe Al Nassr pritet të jetë e fundit në karrierën e superyllit Cristiano Ronaldo. Portugezi 39-vjeçar ka thënë se nuk e di nëse do t’i japë fund karrierës si futbollist së shpejti apo do të luajë edhe dy apo tre vjet. Por ka lënë të kuptohet se nuk planifikon të luajë për ndonjë skuadër tjetër në pjesën e mbetur të karrierës.
Në fund të vitit 2022, Ronaldo firmosi me klubin arab, pas karrierës impresive në Evropë.
“Nuk e di nëse do të pensionohem së shpejti, për dy apo tre vjet. Por me gjasë do të pensionohem tek Al Nassr. Jam shumë i lumtur në këtë klub, ndihem shumë mirë në këtë vend po ashtu. Më pëlqen të luaj në Arabinë Saudite. Dua të vazhdoj”, ka thënë Ronaldo në një intervistë për “NOW”.
Pas karrierës si futbollist, Ronaldo nuk planifikon të punojë si trajner.
“Është vështirë të mendoj se do të jem trajner një ditë. Në mendjen time nuk e konsideroj që të jem kryetrajner i ndonjë ekipi. As që e mendoj këtë. E shoh të ardhmen duke bërë gjëra jashtë futbollit”, ka thënë Ronaldo.
Me 212 ndeshje për Portugalinë, Ronaldo është bindshëm lojtari me më së shumti paraqitje ndërkombëtare. Ai është pjesë e Portugalisë prej 20 gushtit të vitit 2023. Së fundi luajti në Evropian, por pa shkëlqyer. Por Ronaldo do ta veshë sërish fanellën e vendit të tij. Ndeshjet e radhës së Portugalisë janë në shtator, ndaj Kroacisë e Skocisë.
“Kur të largohem nga ekipi nacional nuk do t’i them askujt paraprakisht. Do të jetë vendim spontan, por vendim i menduar shumë mirë”, ka thënë Ronaldo për mediumin portugez.
“Aktualisht ajo që dua është të jem në gjendje të ndihmoj ekipin nacional në ndeshjet e ardhshme. Kemi Ligën e Kombeve përpara dhe unë vërtet dëshiroj të luaj”, ka shtuar Ronaldo.
Pra, ai do të luajë për Portugalinë të paktën edhe në ndeshjet e vjeshtës që vjen.
Me 130 gola, Ronaldo është fuqishëm në krye të listës së realizatorëve më të mirë në futbollin ndërkombëtar. Pasi shpërtheu te Sportingu, Ronaldo bëri emër te Manchester Unitedi e më pas te Real Madridi. Luajti edhe për Juventusin, ndërsa kishte edhe periudhë të dytë, jo të lavdishme si të parën, te Manchester Unitedi. Tani po shkruan histori në Arabinë Saudite.