Çmimi i energjisë elektrike po rritet, por jo edhe furnizimi i qëndrueshëm. Pse?

0
58

Adhurim Haxhimusa & Anita Baralija

Në baza të rregullta të rishikimit periodik të tarifave të energjisë elektrike, edhe këtë vit u dorëzuan në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) tri kërkesa nga tre përgjegjësit kryesorë për furnizim me energji elektrike në Kosovë, pra KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Fatura e energjisë elektrike që konsumatorët e pranojnë i ka këta komponentë:
•    gjenerimi i energjisë elektrike (KEK + burime të ripërtëritshme + importet)
•    transmisioni (KOSTT)
•    shpërndarja (KEDS)
•    shitja (KESCO)
•    tatimet e ndryshme (TVSh, tatimi ne fitim)

Pra KEK, KOSTT, KEDS, dhe KESCO kanë shpenzimet e tyre për të ofruar shërbimet përkatëse. KEK-u ka shpenzime për prodhimin e energjisë në termocentralet e saja. Ashtu si KEDS edhe KOSTT kanë shpenzime të larta për të siguruar që energjia elektrike që prodhohet nga KEK dhe prodhues të tjerë të vegjël të arrij tek shtëpitë tona nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes dhe transmisionit. Departamente të ndryshme të tyre punojnë pa ndërprerë për të siguruar që 24 orë në ditë ky proces të rrjedhë pa pengesa.

KEDS është operatori i vetëm në sistemin e shpërndarjes ashtu siç është KOSTT në sistemin e transmisionit. Pra, të dyja gëzojnë të drejtën e ushtrimit te bizneseve te tyre si monopole natyrore.
Ndërtimi i infrastrukturës paralele nuk është ekonomik, prandaj edhe nuk ekzistojnë operatorë të tjerë në rrjetin e shpërndarjes edhe në atë të transmisionit. Si rrjedhojë, ofrimi i shërbimeve nga to mbikëqyret nga institucionet përgjegjëse, sepse ekziston rreziku që ato të mos kenë mjaftueshëm nxitje për ofrimin e shërbimeve cilësore, p.sh. duke mos investuar mjaftueshëm në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit në përputhje me nevojat e tregut, që janë në interesin publik dhe shtetërorë, por edhe duke vendosur çmime të papërballueshme për konsumatorët. Pra nuk janë forcat e tregut, ato që i shtyjnë ato të jenë konkurruese dhe atraktive për konsumatorët – ashtu siç është në sektorët e tjerë ekonomikë.

Si rrjedhojë, në bazë të ligjeve të Kosovës ZRrE-ja e kryen funksionin e mbikëqyrjes së aktiviteteve të KEDS dhe KOSTT me qëllimin parësor përmirësimin e furnizimit me energji. Ajo në bashkëpunim me to vendos tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të shpërndarjes dhe transmisionit – kjo është një praktikë në shumicën e shteteve.

ZRrE duhet të sigurojë se tarifat e përcaktuara do të nxisin investime efektive në rrjetin e shpërndarjes dhe të transmisionit me qëllim të rritjes së eficiencës së sistemit elektroenergjetik për të garantuar sistem që mundëson furnizim të qëndrueshëm në afat të shkurtë, por edhe të garantojnë se operatorët mjaftueshëm investojnë ashtu që edhe furnizimi afatgjatë me energji elektrike të jetë i siguruar.
Me fjalë të tjera, ZRrE ka për detyrë të harmonizojë në njërën anë nevojat e tregut që vijnë nga konsumatorët, dhe në anën tjetër mundësitë që sistemi elektroenergjetik i ka për t’i plotësuar këto nevoja. Janë tarifat, ato që i prekin drejtpërsëdrejti jo vetëm konsumatorët që i paguajnë ato, mirëpo edhe mundësitë e sistemit elektroenergjetik, sepse nëpërmjet tarifave mirëmbahet dhe zhvillohet ai. Nëse ZRrE dështon të bëjë këtë harmonizim, atëherë rrezikojmë që sistemi elektroenergjetik të mos mund t’i përballojë nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve në një kohë jo shumë të largët. Është pikërisht kjo, ajo që ka ndodhur në dy dekadat e fundit në Kosovë si rezultat i presioneve të larta politike.

Pse erdhi kjo kërkesë për rritje të tarifave?

Sipas kërkesave që janë dorëzuar në ZRrE, arsyeja kryesore për këtë rritje është importi i lartë në vitin 2024 që është rrjedhojë e devijimeve të mëdha nga planet e gjenerimit të blloqeve të termocentraleve të thëngjillit të KEK-ut.

Është me rëndësi të ceket se 1 MWh që prodhohet nga KEK-u kushton 30 €. Nga të gjitha blloqet, KEK-u ka kapacitet gjenerues maksimal prej rreth 840 MW. Mirëpo, si rrjedhojë e vjetërsisë së blloqeve A3, A4, dhe A5 dhe punës që e bëjnë jashtë jetëgjatësisë së tyre, të paktën njëri nga to është jashtë funksionit. Prandaj, gjenerimi real maksimal i KEK-ut është rreth 730 MWh. Le të supozojmë, se konsumi i energjisë elektrike është saktë 730 MWh, dhe i tëri mund të mbulohet nga prodhimi vendorë nga KEK-u, atëherë shpenzimet e furnizimit (pa i llogaritur shpenzimet e rrjetit) nga gjenerimi vendorë janë 21,900 € (730 x 30). Mirëpo, shpesh ndodh që prodhimi nga KEK të bjerë në 500 MWh si rrjedhojë e rënies së ndonjë blloku gjenerues. Duke supozuar që kemi konsumin e njëjtë prej 730 MWh, atëherë 230 MWh duhet importuar për të siguruar furnizimin për të gjithë konsumatorët. Sipas KESCO, çmimi mesatar i importit të energjisë elektrike ka qenë rreth 280 €/MWh. Tani kemi këtë strukturë të shpenzimeve të furnizimit (500 * 30 + 230 * 280) 79,400. Në këtë rast kemi katërfishim të shpenzimeve të furnizimit, nga rreth 22 mijë Euro në rreth 80 mijë Euro. Të gjitha këto mjete shtesë janë dhanë për importim të energjisë elektrike që është blerë jashtë vendit. Kjo njëherit e rrit deficitin tregtarë dhe është tregues i rritjes së varësisë energjetike në importe, dhe rritje të rrezikut të ekspozimit të lartë nga sabotimet që mund të vijnë nga forcat e jashtme, të cilat institucionet tona nuk mund t’i kontrollojnë.

Shumica e rritjes së tarifave që kërkohen është rrjedhojë e importit shtesë që vjen nga devijimi, apo me fjalë të tjera nga rënia e paplanifikuar e blloqeve të termocentraleve të Kosovës A dhe B. Kjo i bie që konsumatorët do të paguajnë shpenzimet shtesë të furnizimit të vitit 2024 në periudhën 2025-2027. Është për keqardhje, se nuk shihen kërkesa të reja për rritje të tarifave, me qëllim të rritjes së dinamikës së investimeve për modernizim dhe zgjerim të sistemit elektroenergjetik, edhe pse sistemi elektroenergjetik i Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për investime shtesë.

Me këtë politikë energjetike, për fat të keq qytetarët e Kosovës, në mënyrë indirekte, i financojnë kapacitetet gjeneruese të vendeve prej nga Kosova importon energjinë elektrike. Prandaj, është e dhimbshme, që rritja e tarifave nuk do të vijnë si rrjedhoje e futjes në sistem të impianteve të reja gjeneruese, apo nga zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe transmisionit, që garantojnë furnizim të qëndrueshëm, ku të gjitha këto do të përktheheshin në rritje të pavarësisë energjetike dhe furnizim të qëndrueshëm afatgjatë.

Çfarë politika energjetike duhen, ashtu që përfundimisht të shtrojmë rrugën për zhvillim të një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm elektroenergjetik?

Dizajnimi i politikave afatgjate të mirëfillta që mundësojnë përdorimin e instrumenteve të tregut të lirë konkurrues, duke mundësuar furnizim të qëndrueshëm me çmime konkurruese dhe të përballueshme për konsumatorët, por edhe nxitje për investime të domosdoshme dhe të mjaftueshme për zgjerim dhe modernizim të sistemit elektroenergjetik. Është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të japin sinjale sigurie për investorët në këtë sektor, dhe të largohen nga politikat parciale, ditore dhe populiste. Kjo nënkupton, që duhen reforma të thella në sektorin e energjisë dhe sektorët tjerë përcjellës, qëllimi i së cilave është integrimi i të gjithë akterëve. Më poshtë disa nga këto reforma janë të përmbledhur:

•    Implementimi i taksës së karbonit në një lartësi mjaftueshëm të lartë për nxitjen e investimeve në shkallë të lartë në burime të ripërtëritshme të energjisë (p.sh. erë, diell, gjeotermi). Me këtë organizimi i ankandeve do të ishte i panevojshëm.
•    Planifikim i mirëfilltë hapësinorë ku identifikohen hapësirat ku mund të vendosen mullinjtë e erës dhe panelet solare, si dhe zgjerim i rrjetit të shpërndarjes dhe transmisionit me ndikimet më të ulëta anësore mjedisore, ekonomike, dhe sociale.
•    KEK-u furnizon mbi 90% të konsumit të energjisë elektrike në Kosovë. Me këtë pjesëmarrje në treg KEK ka mundësi të shumta për të manipuluar tregun. Prandaj, me qëllim të reduktimit të mundësisë së manipulimit të tregut, ndoshta rruga më e mirë do të ishte që KEK-u të ndahet në të paktën dy operatorë, një për Kosova A dhe tjetri për Kosova B. Ndoshta duhet shkuar edhe më tej duke shqyrtuar mundësitë që menaxhmenti i secilit bllok të gjenerimit të jetë plotësisht i pavarur duke iu besuar operatorëve të ndryshëm.
•    Nxitje për investime të mjaftueshme në ngritjen e një sistemi modern të shpërndarjes dhe transmisionit që e menaxhon në mënyrë eficiente një përzierje të burimeve të ndryshme të gjenerimit të energjisë (erë, diell, thëngjill). Kjo kërkon politika të mirëfillta rregullative.
•    Investime në njehsorë të mençur modern tek të gjithë konsumatorët si rrugë për implementimin e tarifave dinamike me qëllim të reflektimit të kostos së furnizimit me energji elektrike në kohë reale te konsumatorët. Kjo është një praktikë që në masë të gjerë përdoret ne vendet skandinave.
•    Ndërtimi i më shumë blloqeve tarifore, me qëllim të bartjes së shpenzimeve të furnizimit tek konsumatorët me konsum më të lartë në mënyrë progresive.
•    Duhet ndjekur praktikat evropiane në ndërtimin e çmimeve për amvisëritë dhe bizneset. Bizneset bashkë me konsumatorët industrial duhet të paguajnë çmime më të ulëta së sa amvisëritë. Është arsye e thjeshtë. Bizneset çdo rritje të shpenzimeve e bartin tk çmimet e produkteve të tyre. Në fund është konsumatori ai që paguan.
•    Liberalizimi i plotë i tregut të energjisë, ku konsumatorët mund ta zgjedhin furnizuesin e tyre. Kjo mundëson rritje të konkurrencës dhe siguron furnizim me çmimet më të ulëta të mundshme.
•    Ndryshime emergjente në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në institucionet përgjegjëse. Duhet gjetur mënyrat më eficiente dhe efektive për të ngritur institucione kredibile që udhëhiqen nga njerëz profesionale dhe me integritet të lartë. Për shembull, ZRRE ka kohë që ankohet për mungesë të stafit profesional në pozita kyqe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here