Çmimet e ilaçeve në Kosovë, sipas dëshirës së farmacistëve

0
213
Foto: Ilustrim

Keqpërdorimet me çmimet e barnave në farmacitë e Kosovës po i kushtojnë shumë xhepit të qytetarëve. Ata janë ankuar për Radio Kosovën për çmimet e larta të barnave në krahasim me të ardhurat që i kanë. Ndërsa nga Oda e Farmacistëve të Kosovës thonë se mungesa e ligjit që rregullon çmimet e barnave, shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik.

Mungesa e ligjit që rregullon çmimin e produkteve medicinale nëpër barnatore, po vazhdon ta rëndojë xhepin e qytetarëve. Ata thonë se mungesa e zbatimit të ligjit, po bënë që nga farmacitë të ketë keqpërdorime të çmimeve. Të intervistuar nga Radio Kosova, qytetarët flasin për çmimet e barnave që ndryshojnë nga farmacia në farmaci.

“Në këto dy barnatore që janë të ngjitura me njëra tjetrën, të njëjtin produkt e blej më çmim të ndryshëm e kjo është shumë shqetësuese. Ndërsa në raport me vendet e rajonit çmimet ndryshojnë shumë”, thotë një qytetar për Radio Kosovën.

“Një injeksion qe blihet këtu për trajtimin e një sëmundje në Kosovë kushton 500 euro, ndërsa i njëjti injeksion në Turqi është 70 euro, dikush duhet të shkojë në burg për këtë keqpërdorim. Në krahasim më nivelin e pagave në Kosovë, çmimet e barnave janë shumë të larta”, thotë një tjetër.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Zajmi, thotë për Radio Kosovën se mos rregullimi i çmimeve po shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik dhe më së shumti këtë e vuajnë pacientët që duhet t’i paguajnë barnat shumëfish më shtrenjtë.

Zajmi thotë se Kosova është vendi i dytë pas Bjellorusisë, që nuk e ka të rregulluar çmimin e barnave. Ai thekson se ka pasur edhe grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin miratimin e ligjit.

“Natyrisht që ka grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin ligjin, ka pasur edhe farmacistë që kanë tentuar ta ndalin ligjin por ka qenë një numër i vogël dhe i papërfillshëm. Mirëpo shpresojmë që ky ligj kur të shkojë në parlament, ta gjejë rrugën e duhur deri në aprovim”, thotë Zajmi.

Projektligji që rregullon çmimet e produkteve medicinale tashmë ka kaluar në Qeveri dhe i njëjti pritet që të sillet edhe në Kuvend për diskutim dhe pas dy leximeve të hyjë në fuqi./RTK/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here