Disa ditë më parë, u bë e ditur se Wesley Clark, gjenerali i pensionuar amerikan, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.
Ndaj kësaj ka reaguar sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit ka vlerësuar se Gjykata Speciale ka ‘’dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit’’, dhe se, është e tmerrshme shpëtimtarët e Kosovës duhet të paraqiten në këtë gjykatë për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim.
‘‘A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!’’, ka thënë ai.
Tutje, Rama ka thënë se kjo është ‘’turp’’ për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe ‘’më zi’’, për ata që kryeministri shqiptar i ka quajtur ‘’shqipsharësit digjitalë’’.
Këta të fundit, Rama, ka thënë se janë verbuar nga ‘’budallakia kinse patriotike’’ duke uruar që Thaçi që mos dal nga burgu.
‘’Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës’’, ka shkruar Rama.














































