Çitaku: Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, nuk kemi shtiza për opozitën

0
90

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se takimi i kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi me kryeministrin Albin Kurti ka pasur përkrahjen e të gjithë partisë.

Ajo gjithashtu ka mohuar zërat se ka marrëveshje mes PDK-së dhe VV-së për koalicion paszgjedhor.

Sekretarja tregoi se para takimit është mbajtur mbledhja e kryesisë ku Krasniqi ka marrë mbështetjen unanime.

Çitaku tha se para takimit me Kurtin, PDK është takuar edhe me dy liderët e tjerë opozitarë: Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

“Në rast se ne po kërkojmë zgjedhje, në rast se të gjithë po pajtohemi se Kosova nuk është në drejtimin e duhur, që shoqëria në Kosovë është më e polarizuar se asnjëherë më parë, që raportet tona me aleatët janë më të cenuara se asnjëherë më parë, përgjigja ndaj situatës për PDK janë zgjedhjet e reja. Nuk ka asnjë lloj konspiracioni, prapavije, dakordësie paraprake. Thjesht ne i jemi përgjigjur sfidës”, tha Çitaku.

Ajo tha se kryeministri u ka bërë ftesë të gjitha partive, pastaj partitë marrin qëndrimet e tyre. Çitaku tha se ka pasur raste kur janë ftuar dhe PDK nuk ka shkuar por kanë shkuar partitë e tjera.

“Secili i merr qëndrimet e veta politike dhe e bartë përgjegjësinë për to. Në secilëndo situatë dhe pavarësisht zhurmës që kemi dëgjuar unë dua ta sqaroj kërkesa jonë është një, e vetme dhe konsistente: zgjedhje të parakohshme sa më parë. Nuk janë pak tetë muaj qeverisje, në tetë muaj shumë gjëra mund të ndodhin dhe ne e kemi në dorë si opozitë të unifikohemi dhe të shkojmë në zgjedhje. Nuk kemi shtiza për kolegët tonë në opozitë”, tha ajo.

Sipas saj nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet PDK-së dhe kryeministrit Kurti. Ajo foli edhe për kritikat nga partitë opozitare pas takimit.

“Ata kanë vlerësuar që nuk është koha të takohen dhe të shkohet në zgjedhje me insistimin e dorëheqjes së Kurtit. Edhe në do të donim të kishim shumicën, ne e kemi vetëm një opsion shpërndarjen e parlamentit”, tha ajo.

Çitaku tha se shpreson se pjesa tjetër e opozitës ta kuptojnë që është koha për zgjedhje.

“Në politikë operohet me fakte e jo më dëshira”, u shpreh Çitaku.

Ajo ka insistuar se PDK-ja është në garë për t’i fituar zgjedhjet.

“Kemi një kandidat serioz, kemi një njeri që ka përvojë të madhe”, ka thënë Çitaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here