Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren është në proces të hartimit të Planit Strategjik për vitin 2025-2029.
Përmirësimi i cilësisë së arsimit, përshtatja e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës, përmirësimi i infrastrukturës së kampusit dhe promovimi i ndërkombëtarizimit, janë disa nga prioritetet kryesore të identifikuara në kuadër të një punëtorie të organizuar nga programi Sustainable Higher Education and Research (SHER) që mbështet hartimin e këtij plani.
Rektori Mentor Alishani ka bërë të ditur se Plani Strategjik 2025-2029 i Universitetit “Ukshin Hoti”, që sipas tij do të ketë objektiva të qarta dhe tregues të matshëm, “tanimë po draftohet nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë me mbështetjen e programit të financuar nga qeveria austriake Sustainable Higher Education and Research – SHER”.
Në njoftimin e këtij programi është theksuar realizimi i punëtorisë kyçe për të avancuar procesin e planifikimit strategjik për periudhën 2025–2029 në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, me praninë e rektorit Alishani dhe të koordinatorit tematik në Programin SHER, Nehat Dervishi.
Aty theksohet se eksperti lokal i Programit SHER ka udhëhequr një sesion mbi parimet e planifikimit strategjik, duke theksuar përshtatjen me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin e lartë.
Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se pjesëmarrësit janë përfshirë në diskutime interaktive në grupe pune, duke përdorur mjete si analiza SWOT për të vlerësuar pikat e forta, sfidat dhe mundësitë e universitetit.
“Prioritetet kryesore të identifikuara përfshijnë përmirësimin e cilësisë së arsimit, përshtatjen e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës, përmirësimin e infrastrukturës së kampusit dhe promovimin e ndërkombëtarizimit”, thuhet në njoftimin e Programit SHER, për të shtuar se punëtoria është përmbyllur me një plan të qartë për objektivat dhe treguesit e matshëm.
“Programi SHER do të vazhdojë të mbështesë universitetin në zhvillimin e një plani strategjik gjithëpërfshirës për të arritur vizionin e tij për të ardhmen”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/