Konsumi i verës është një pjesë e pandarë e kulturës mesdhetare, por duhet të bëhet me kujdes dhe masë sidomos sepse alkooli, përfshirë verën, mund të ketë ndikim negativ në zemër dhe arterie.
Po cili lloj vere është më i dëmshëm për sistemin kardiovaskular e kuqja, e bardha apo rozë? Për këtë pyetje, ka dhënë përgjigje një kardiologe për median franceze Top Santé.
Verërat me antioksidantë, ‘më pak të dëmshme për zemrën’
Siç pritej, verërat që përmbajnë antioksidantë, sidomos polifenole, konsiderohen më pak të dëmshme për zemrën.
“Këto substanca kanë efekte potencialisht mbrojtëse për zemrën,” thotë Dr. Virginie Marchal, kardiologe në Aix-en-Provence, edhe pse shton se këto efekte janë të moderuara.
Në këtë kategori bëjnë pjesë shumë verëra të kuqe, si Merlot, Cabernet Sauvignon dhe veçanërisht Pinot Noir të pasura me resveratrol, një antioksidant që ndihmon në përmirësimin e funksionit të enëve të gjakut, uljen e inflamacionit dhe rritjen e kolesterolit të mirë (HDL).
Sipas Dr. Marchal, është e preferueshme të zgjidhet një verë e kuqe organike ose natyrale, që përmban më pak sulfite dhe është pa pesticide. Edhe verërat rozë të thata përmbajnë antioksidantë, por në sasi më të vogël sesa ato të kuqe.
Verërat që duhen shmangur për shëndetin e zemrës
Në anën tjetër, verërat më të dëmshme për sistemin kardiovaskular janë ato që nuk përmbajnë substanca mbrojtëse dhe janë të pasura me sheqer, kryesisht verërat e bardha të ëmbla dhe ato me shije shurupi.
“Verëra si Sauternes apo Geëurztraminer kanë përqindje të lartë sheqeri, çka mund të ndikojë negativisht në metabolizëm dhe në shëndetin kardiovaskular,” paralajmëron Dr. Marchal.
Gjithashtu, verërat e ëmbla të fortifikuara, si Porto, Madeira apo Marsala, duhet të konsumohen me shumë kujdes.
“Këto përmbajnë sasi të larta alkooli dhe sheqeri, dy faktorë që rrisin rrezikun për probleme të zemrës nëse konsumohen rregullisht,” thekson ajo.
Së fundi, verërat me përqindje të lartë alkooli (mbi 15%) mund të kontribuojnë në rritjen e tensionit të gjakut dhe në shfaqjen e aritmive ose problemeve të tjera kardiake, ndaj këshillohet të konsumohen me masë.