Chelsea ka arritur marrëveshje për ta ndërprerë para kohe huazimin e Facundo Buonanotte-s nga Brighton, me mesfushorin argjentinas që do ta përfundojë pjesën e mbetur të sezonit te Leeds United, sipas raportimeve të Fabrizio Romano.
Buonanotte ishte transferuar te “Blues” në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, por nuk arriti të sigurojë hapësirën e pritur në formacion. Ai u aktivizua shumë pak në Premier League, duke regjistruar vetëm një paraqitje, ndërsa minutat e tij kryesore erdhën në ndeshjet e kupave, pavarësisht se ishte planifikuar si alternativë për Cole Palmer.
Leeds United, që aktualisht ndodhet në pozitën e 16-të në kampionat, i ka ofruar argjentinasit një rol më të rëndësishëm dhe më shumë minuta loje deri në fund të sezonit, me shpresën se ai do të ndihmojë skuadrën në objektivat e saj.
Vendimi i Chelseat për ta ndërprerë huazimin ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi te tifozët, të cilët kanë kritikuar drejtuesit e klubit për strategjinë dhe menaxhimin e merkatos gjatë këtij sezoni./04 Online














































