Përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare në Kosovë kanë theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ata kanë kërkuar që Kosova të ketë institucione funksionale për të adresuar përgjegjësitë e reformave në procesin e integrimit evropian dhe për të zbatuar zotimet e marra në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se Kosova ka nevojë për një partner në pushtetin ekzekutiv për të biseduar për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Ai ka theksuar se për të ecur përpara është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet kosovare, ndërsa ka pohuar se masat ndaj Kosovës kanë filluar gradualisht të hiqen. Orav gjithashtu ka porositur Kosovën që të “mos shikojë gjithmonë se çfarë bën Serbia, por t’i bëjë detyrat e veta” në lidhje me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Na duhet edhe një partner në pushtetin ekzekutiv. Na duhet një partner me të cilin mund të flasim për hapat e radhës sesi të afrohemi më pranë BE-së. Shpresojmë që qeveria do të formohet sa më shpejtë. Mbyllja e institucioneve në veri, përsëri BE-ja e ka bërë qëndrimin e vet të qartë, privatisht, zyrtarisht dhe publikisht… Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas ditë më parë shpalli se do të kemi heqjen graduale të masave ndaj Kosovës dhe kjo heqje ka filluar. Mirëpo për të ecur përpara na duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet në Kosovë. Një temë që të gjithë flasim por nuk është aq e preferuar nga politikanët në Kosovë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i BE-së është i qartë se ai duhet të themelohet dhe është më mirë të bëhet sa më shpejt që të ecim përpara”, ka thënë Orav.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka theksuar se qytetarët në Kosovë janë të “frustruar dhe irrituar politikisht” për shkak të ngërçit politik të krijuar. Ai ka komentuar se nesër do të mbahet seanca e 23-të për konstituimin e Kuvendit dhe ka ngritur pyetjen: “Çfarë imazhi është ky në sytë e qytetarëve?”
“Njerëzit janë të frustruar dhe irrituar politikisht. Nesër do të kemi seancën e 23-të. Çfarë imazhi është ky në sytë tanë? Nuk dua të hyj. Daniela ka përmendur dje, por të gjithë ne bëjmë thirrje në mënyrën tonë. Mirëpo në fund të fundit detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjnë politikanët. Kemi pasur përfaqësues të lartë të BE-së, Costa dhe Kallas dhe mesazhet ishin të qarta bëni detyrat e shtëpisë”, ka thënë Rohde.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, ka theksuar nevojën për formimin e institucioneve të reja dhe ka përmendur dy mesazhe të rëndësishme. Ai ka thënë se Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse e izolon vetveten dhe ka paralajmëruar se duhet të respektohen zotimet e ndërmarra në procesin e dialogut.
“I kam dy mesazhe të thjeshta. Mesazhi i parë është që Kosova nuk është e izoluar përveç nëse e izoloni vetveten. QUINT ka mbështetur Kosovën vite me radhë dhe kohëve të fundit kam lexuar këshillën tonë ligjore në GJND duke shpjeguar pse Franca e ka mbështetur Kosovën historikisht. Nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është një ishull por është në mes të rajonit… Ju nuk jeni të izoluar përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkase të ndryshme duke mos respektuar zotimet e ndërmarra. Po e përsërisë thirrjen e Jorn, dëgjoni miqtë tuaj”, ka thënë Guerot.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karim Boven, gjithashtu ka bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se është e rëndësishme të demonstrohet përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian.
“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, ka thënë Boven.