Goditja në tru është një urgjencë mjekësore që kërkon kujdes dhe trajtim të menjëhershëm. Çelësi në një situatë të tillë është vetëdija për simptomat, në mënyrë që të njohim gjendjen, qoftë tek ne apo tek të tjerët, dhe të kërkojmë ndihmë mjekësore sa më shpejt.
Në kategorinë e goditjes në tru përfshihet edhe ‘mini goditja’ ose ‘sulmi ishemik kalimtar’ (TIA), i cili është më i lehtë dhe zakonisht kalimtar, por shumë serioz dhe gjithmonë kërkon ndërhyrje mjekësore.
Një sulm ishemik kalimtar ndodh kur një arterie në tru bllokohet përkohësisht nga një mpiksje gjaku. Për shkak se bllokimi është i përkohshëm, nuk shkakton dëmtim të përhershëm të trurit, dhe numri i qelizave të vdekura është shumë i kufizuar ose i papërfillshëm. Megjithatë, njohja e shpejtë e simptomave është thelbësore, pasi pas një TIA-je rreziku për goditje në tru rritet me mbi 18% brenda tre muajve.
Cilat janë simptomat e sulmit ishemik kalimtar?
Në një intervistë për Self, Dr. Eliza C. Miller, neurologe në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, shpjegon se simptomat e TIA-së janë të ngjashme me ato të goditjes në tru, por zhduken brenda një ore.
Ja 6 shenjat kryesore që duhet t’i kushtoni vëmendje:
Fytyrë e fundosur – Njëra anë e fytyrës duket e tërhequr poshtë, dhe nuk mund të buzëqeshni në mënyrë të barabartë.
Dobësi në njërën anë të trupit – Papritmas ndjeni mpirje ose humbje kontrolli në një krah ose këmbë, bëheni të ngathët.
Të folurit e ngatërruar – Keni vështirësi në të folur, nuk gjeni fjalët e duhura, ose nuk mund të përgjigjeni thjesht në pyetje.
Humbje e pjesshme e shikimit – Një pjesë e fushës suaj të shikimit mbulohet nga një ‘njollë’ ose ‘perde’.
Dhimbje koke të fortë – Shfaqet papritur një dhimbje koke e rëndë, e ngjashme me migrenën.
Marramendje – Ndiheni si bota të rrotullohet rreth, ose sikur po humbni ekuilibrin.
Dr. Miller thekson se tek gratë simptomat e TIA-së shpesh kalojnë pa u vënë re, pasi mund të jenë më të buta ose të përziera, si lodhje e madhe apo konfuzion mendor, dhe shpesh diagnostikohen gabim.
Në çdo rast, nëse dyshoni se mund të jeni duke përjetuar një sulm ishemik kalimtar, kontaktoni menjëherë mjekun ose kërkoni ndihmë mjekësore urgjente.