Kanceri i qafës së mitrës është një ndër kanceret më të shpeshtë te gratë në moshat e mesme, në shumë vende të botës.
Ndonëse mund të parandalohet nëpërmjet vaksinimit dhe depistimit, trajtimi i kësaj sëmundjeje mbetet ende i vështirë për shkak të mungesës së diagnostikimit të sëmundjes në kohën e duhur. Shkaktari kryesor i këtij kanceri është virusi i Papilomës Humane (HPV).Shumica e infeksioneve HPV zhduken pa e ditur vetë personi i infektuar. Në disa gra, infeksioni nuk largohet, por pas disa viteve, mund të shkaktojë dëmtime para-kanceroze. Nëse nuk zbulohet dhe trajtohet, këto dëmtime mund të çojnë në kancer të qafës së mitrës.
Para-kanceri i qafës së mitrës është një ndryshim i veçantë i qelizave sipërfaqësore në një zonë të veçantë të qafës së mitrës; qelizat fillojnë të zhvillohen në mënyrë të parregullt në praninë e një infeksioni afatgjatë me HPV. Kanceri i qafës së mitrës është një nga të paktët kancere në të cilët stadi pararendës (parakanceri) zgjat shumë vite përpara se të kthehet në kancer invaziv, duke siguruar kështu mundësi të mjaftueshme për zbulim dhe trajtim.
Zhvillimi i parakancerit
Pas hyrjes në qelizat epiteliale të qafës së mitrës, infeksioni me HPV me risk të lartë ndërhyn në funksionet normale të tyre, duke çuar në ndryshime karakteristike të parakancerit (të quajtura dhe displazi). Në një qafë mitre të infektuar me HPV, ndryshimet ndodhin në dy drejtime, për shkak se një pjesë e madhe e qelizave të infektuara me HPV kthehen në gjendje normale dhe një pjesë e madhe e parakancereve të qafës së mitrës nuk bëhen kancer. Shumica e infeksionit te HPV vetëpastrohet, ashtu si dhe shumica e parakancareve vetëzhduken.
Teknikat diagnostike për zbulimin e parakancerit të qafës së mitrës
Kolposkopia
Kolposkopia është ekzaminim i qafës së mitrës, vaginës dhe vulvës me një instrument (kolposkop) që prodhon dritë të fortë dhe zmadhon një fushë, duke mundësuar ekzaminimin e shtresave sipërfaqësore dhe të enëve të gjakut përreth tyre.
Biopsia
Biopsia është heqja e mostrave të vogla nga indet anormale dhe ekzaminimi mikroskopik për vënien e një diagnoze. Biopsitë mund të merren nga zonat e qafës së mitrës që që dyshohen për kancer.
Kyretazhi endocervical
Kyretazhi Endocervical (ECC- endocervical curettage) është një procedurë e thjeshtë që zgjat vetëm disa minuta: me anë të një instrumenti të hollë special ose me anë të një spatule, gërryhen butësish disa qeliza të sipërfaqes së kanalit endocervical. Indet vendosen në një enë me solucion fiksues dhe dërgohen në laborator për ekzaminim.