Çfarë është anemia? Shkaqet dhe simptomat e sëmundjes

0
326

Anemia është sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Termi “anemi” i përdorur në mjekësinë klinike i referohet reduktimit poshtë vlerave normale të pranuara të hemoglobinës (sipas moshës dhe seksit të personit) me ose pa ulje të numrit absolut të eritrociteve. Pakësimi i hemoglobinës çon në shfaqjen e simptomave dhe shenjave të anemisë.

Klinika (simptomat dhe shenjat) e Sindromit Anemik

Prania ose mungesa e shenjave klinike të anemisë përcaktohen nga 4 faktorë:

1. Shpejtësia e instalimit të anemisë. Një anemi e instaluar shpejt (post hemorragjike, hemolizë) ka klinikë më të shprehur se kur instalohet gradualisht (Sistemi Kardiovaskular ka më shumë kohë për t’u përshtatur).
2. Shkalla e anemisë. Sa më e thellë të jetë anemia, aq më e theksuar është klinika. Klinika e anemisë shfaqet kur Hb është më pak se 9-10gr/dl, por ka raste që pakësimi i Hb të jetë i theksuar dhe përsëri të mos ketë shenja ose të jenë shumë të pakta nëse ajo është instaluar gradualisht dhe personi ka qenë i shëndetshëm dhe në moshë të re (si tek anemia nga mungesa e hekurit).
3. Mosha dhe gjendja e përgjithshme e pacientit. Moshat e vjetra e suportojnë aneminë më vështirë se sa mosha e re dhe kjo lidhet me sistemin kardiovaskular dhe sëmundjet shoqëruese kardiopulmonare.
4. Kurba e disocimit të Hb nga oksigjeni. Anemia shoqërohet me lehtësi më të madhe për të çliruar oksigjenin nga Hb tek indet.

Simptomat – Dobësi, lodhje e përgjithshme, më të theksuar në sforcimet fizike (konsumohet më shumë oksigjen), vështirësi në frymëmarrje, dhembje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve, zhurmë në vesh. Te moshat e vjetra dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pectoris (dhembje gjoksi) etj.

Shenjat – këto ndahen në shenja të përgjithshme dhe specifike.

• Shenjat e përgjithshme përfshijnë zbehjen e lëkurës dhe të mukozave (të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Vlerësimi duhet bërë në dritë natyrale. Anemia duket më mirë në membranat mukoze (buzët, goja, faringu, konjuktivat), llapa e veshit, shtrati i thonjve, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve (kur Hb < 7 gr/dl). Duhet të kemi parasysh se është pigmenti i hekurit (Fe) që siguron ngjyrën e kuqe të hemoglobinës, në këtë mënyrë të eritrociteve dhe për pasojë të vetë gjakut (pjesa e mbetur e gjakut pa eritrocite nuk ka ngjyrë të kuqe). Ngjyra e hemoglobinës (pra e hekurit) është dhe faktori kryesor i ngjyrës së lëkurës. Në rastet kur anemia instalohet shpejt dhe është e thellë mund të kemi takikardi, puls të shpejtë dhe goditës, tone të forta në zemër, zhurmë sistolike, kardiomegali.

• Shenjat specifike janë në varësi të tipit të anemisë p.sh në rastin e anemisë hemolitike do të ketë ikter nga shtimi i bilirubinës indirekte. Në sëmundje të tjera anemia mund të shoqërohet me neutropeni, trombocitopeni etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here