Çfarë armësh tjera po kërkon të blejë Kosova, përveç 246 raketave “Javelin”?

0
298

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin që janë kërkuar të blihen nga SHBA-ja.

Por, këshilltarja politike e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Liridona Gashi, tha se nuk mund ta zbulojë se çfarë lloj armatimi tjetër po kërkohet nga Kosova “për shkak se kjo përbën informacion të klasifikuar”.

Ajo sqaroi se kërkesa për të blerë raketat Javelin është bërë sipas një plani paraprak për t’i përmbushur nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe nuk është shkaktuar nga incidentet në veri të Kosovës, edhe pse shtoi se “sulmi terrorist në Banjskë, si dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia janë një shqetësim”.

“Furnizimi me armë do të thotë investim në përmbushjen e misionit kushtetues të FSK-së, në mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Gashi, duke përsëritur qëndrimin e dhënë nga Uashingtoni zyrtar se “stabiliteti në Evropë do të rritet”.

Pse po armatoset Kosova?

Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga Partia opozitare Demokratike e Kosovës, vlerëson se Kosova është e detyruar të jetë më e përgatitur në aspektin e pajisjeve dhe armatimit pas sulmit në Banjskë dhe kërcënimeve të shpeshta nga Serbia për të ngritur gatishmërinë luftarake rreth kufijve me Kosovën.

Mendim të ngjashëm ndajnë edhe ekspertët nga agjencia e inteligjencës së mbrojtjes, Janes, me seli në Croydon të Britanisë së Madhe.

“Serbia ka ndjekur një linjë militante kohët e fundit dhe posaçërisht Kosovës i është dashur të përballet me destabilitetin në veriun e dominuar nga serbët, për të cilin ata fajësojnë qeverinë serbe”, thonë nga kjo agjenci për REL-in.

Ata, gjithashtu, shtojnë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia shihet si “paralajmërim i asaj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen meqë Serbia e ka rreshtuar veten përkrah Rusisë”.

Këtë argument e përsërit edhe Qalaj, i cili thotë se edhe vendet e Evropës perëndimore kanë nisur përforcimin e ushtrive pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Kosova, gjithashtu, duhet të rrisë kapacitetet e saj, si në personel, ashtu edhe në aspektin e prokurimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake”, thotë Qalaj.

Ai shtoi se Kosova duhet të zhvillohet edhe nga aspekti profesional në mënyrë që të përgatitet për përdorimin e pajisjeve të ndryshme luftarake.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 12 janar njoftoi se vendi “po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit”, që përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s.

Ajo shprehu bindjen e saj se Kongresi Amerikan do ta mbështesë shitjen e sistemit Javelin për Kosovën për ta “rritur sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë”.

Më 11 janar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi Kongresin për shitjen e propozuar të armëve në Kosovë si pjesë e programit të SHBA-së për shitje ushtarake të huaja. Përmes këtij programi të ushtrisë amerikane, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare për të ofruar ndihmë të sigurisë.

Kërkesa e Kosovës përfshin blerjen e 246 raketave Javelin FGM-148F dhe pajisjeve përcjellëse, njoftoi Agjencia Amerikane për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri.

Sipas Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, Kongresi në këtë rast ka 30 ditë për shqyrtimin e kërkesës, por nuk nevojitet miratimi. Kjo periudhë nevojitet përpara lëshimit të letrës për aprovim të shitjes.

Presidentja Osmani ka thënë se lidhur me programin e shitjeve të huaja ushtarake kishte biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, qysh në korrik të vitit 2022.

Se kjo blerje ka qenë pjesë e një plani të përgatitur edhe para sulmit në Banjskë, e ka konfirmoi edhe Liridona Gashi nga Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të FSK-së dhe planeve për transformimin e saj.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës ka nisur në dhjetor të vitit 2018, kurKuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces është planifikuar të zgjasë dhjetë vjet – deri në vitin 2028.

Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në më shumë se 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë.

Më parë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes njoftoi më 11 janar se kjo shitje e armëve “do të përmirësojë aftësitë mbrojtëse të Kosovës, në terma afatgjatë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe që t’i përmbushë kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here