Çerekfinalet e kthimit në Kupën e Kosovës pritet të dhurojnë spektakël basketbolli

0
61

Kupën e Kosovës në basketboll e presin duele të zjarrta në ndeshjet e kthimit çerekfinale, ku tetë skuadra do të luftojnë për katër biletat drejt gjysmëfinales.

Përballjet e para kanë qenë mjaft emocionuese dhe kanë lënë gjithçka të hapur, me asnjë skuadër që nuk e ka siguruar ende kualifikimin matematikisht. Në gjysmëfinale do të avancojnë ekipet që tregohen më të suksesshme pas dy ndeshjeve.

Një nga ndeshjet më interesante pritet të zhvillohet mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Therandasit triumfuan në Mitrovicë me rezultat të ngushtë 99:102, duke e bërë përballjen e kthimit tejet të paparashikueshme. Të dy skuadrat synojnë kalimin në gjysmëfinale në një duel që premton shumë emocione.

Të mërkurën zhvillohet edhe takimi mes Rahovecit 029 dhe Borës, ku prishtinasit fituan ndeshjen e parë 79:70. Megjithatë, “Vreshtarët” do të kërkojnë përmbysjen para tifozëve të tyre, ndërsa Bora synon ta ruajë epërsinë dhe të vazhdojë tutje.

Një tjetër përballje mjaft atraktive është ajo mes GO+ Pejës dhe Bashkimit. Portokallezinjtë e Prizrenit fituan duelin e parë 96:90, por ndeshja e kthimit në Pejë pritet të jetë vendimtare, me të dy skuadrat që synojnë jo vetëm gjysmëfinalen, por edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Ndërkohë, Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi do të përballen të enjten, me bardhekaltrit që kanë një avantazh të mirë pas fitores në Gjakovë 68:82, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Me emocione, rivalitete dhe spektakël në parket, çerekfinalet e kthimit të Kupës së Kosovës pritet të dhurojnë basketboll të nivelit të lartë për dashamirët e sportit në vend./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here