Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, i është refuzuar kërkesa për vizitë në Preshevë.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vizita ishte planifikuar për të enjten por se ajo u refuzua minutën e fundit.
“Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48 orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit. Ky veprim është një tjetër dëshmi e tentativave për të izoluar shqiptarët e Preshevës, duke penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional. Shqiptarët e Preshevës meritojnë trajtim të barabartë dhe respekt për të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë qytetarët tjerë në rajon”, ka shkruar ajo.
E, politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili është edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur këtë përpjekje të Serbisë për izolim të shqiptarëve.
Pavarësisht përpjekjeve, ka thënë ai, Lugina do ta ketë gjithmonë mbështetjen e Kosovës.
“Refuzimi për vizitën e Ministrit Hajrulla Çeku në Preshevë është një tjetër përpjekje për të izoluar shqiptarët dhe për të ndërprerë shkëmbimin kulturor mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Por askush nuk mund ta ndalë frymën e bashkëpunimit dhe të solidaritetit mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Izolimi dhe pengesat nuk mund ta zhbëjnë lidhjen tonë historike, kulturore dhe njerëzore”, ka shkruar Mustafi në Facebook.