Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë përballen me ofendime, sharje e kërcënime gjatë kohës që janë në detyrë zyrtare. Në këtë mënyrë atyre iu vështirësohet puna dhe shpesh iu rrezikohet jeta, raporton Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ku një person dyshohet t’i ketë bërë kahre një punonjës parkingu privat dhe disa zhytarë policorë.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pas refuzimit të 35-vjeçarit për të paguar biletën e parkingut, ku pas konfrontimit verbal, ai dyshohet të ketë eskaluar në dhunë fizike ndaj punonjësit.
Kjo ka bërë që viktima të denoncojë rastin në Polici dhe si rrjedhojë një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari gjatë arrestimit ka shfaqur rezistencë dhe ka ofenduar e kërcënuar zyrtarët policorë dhe më pas dyshohet se ka goditur me grusht njërin nga policët.
Pas arrestimit i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe nën dyshimet se është nën ndikim të alkoolit, i është nënshtruar alkooltestit ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.