Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike buxhetin për vitin 2023, sipas tij ky buxhet do të jetë 3.2 miliardë euro. Për ekonomistët kjo rritje e buxhetit ka ardhur si rezultat i rritjeve të çmimit të produkteve gjatë këtij viti.
Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro. Këtë e bëri të ditur vetë kryeministri Albin Kurti në një postim në “Facebook”.
Shifër kjo që Kurti tha të jetë më e larta në histori të Kosovës.
Por, njohësit ekonomisë thonë se kjo rritje erdhi për shkak të rritjes së çmimit të produkteve.
E ekonomisti Jakup Bellaqa, ka propozuar që ndarja e buxhetit të orientohet kah sektori strategjik që e zhvillon ekonominë e vendit.“Është e rëndësishme që nga ky buxhet të mbështesin sektorët strategjik që e zhvillojnë ekonomin e shtetit.
Numër një do të duhet të mbështetet shëndetësia duke implimentuar sigurimet shëndetësore. Pastaj sektorët tjerë siç është arsimi duke i përgatitur më shumë shkollat profesionale që të përgatitemi për tregun e punës”, ka thënë Bellaqa.
Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë për vitin 2023, është vendosur sektori i shëndetësisë ku janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror e lokal.
Pas kësaj, vije bujqësia ku me mbështetjen nga fondet e jashtme, kryeministri është shprehur se pret ta tejkalojnë vlerën 100 milionë euro.
Derisa, 60 milionë euro janë paraparë për shtesat për lehona e për fëmijë nën moshën 16 vjeçare./Dukagjini/