Asambleistja e LVV-së në Prizren, Mimoza Bushrani ka reaguar pas publikimit të listës së përfituesve për rregullimin e kulmeve për vitin 2024 në këtë komunë.
Sipas Bushranit, kjo listë përbën shqetësim, pasi siç ka thënë ajo, shumica e përfituesve janë nga komuniteti boshnjak.
Si rrjedhojë, Bushrani ka kërkuar shpjegim të menjëhershëm për kriteret e përzgjedhjes dhe një rishikim të procesit.
“Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar listën e përfituesve për rregullimin e kulmeve për vitin 2024, dhe është shqetësuese se shumica e përfituesve janë nga komuniteti boshnjak. Ky fakt ngre dyshime të forta për favorizimin e një grupi të caktuar dhe për një keqpërdorim të mundshëm të pozicionit të drejtorit, i cili vetë vjen nga ky komunitet.
Në një shoqëri demokratike, mbështetje e tillë duhet të ofrohet pa asnjë formë diskriminimi dhe me respekt për të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ky veprim i drejtorisë është një shembull i qartë i keqadministratës dhe nuk mund të kalojë pa një hetim të detajuar.
Ne kërkojmë një shpjegim të menjëhershëm për kriteret e përzgjedhjes dhe një rishikim të këtij procesi për të siguruar që mbështetje të drejtë dhe të barabartë të ofrohet për të gjithë qytetarët.”, thuhet në reagimin e Bushranit./04 Online